Nga viti 2021 më shumë se 5 mijë punëtorë janë formalizuar si të rregullt, ndërsa numri i atyre pa kontrata vazhdon të jetë i lartë. Vitin e kaluar, ATK-ja ka identifikuar 4 mijë punëtorë, raporton Ekonomia Online.
Kështu tha drejtori i Adminsitratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj. Gjatë diskutimit të organizuar nga Administrata Tatimore e Kosovës me Iniciativën Kosovare për Stabilitet – IKS me temën “formalizimi i punësimit”, Murtezaj tha se institucioni që ai e drejton është lidere në Ballkani Perëndimor sa i përket rritjes së të hyrave tatimore.
“ATK-ja si institucion është një prej institucione që çdo ditë po tregon që është lidere prej institucioneve edhe në rajon. Raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar e ka pasqyruar se ATK është lidere në Ballkani Perëndimor në rritjen e të hyrave tatimore në vitet 2020-2022. Këto të hyra i atribuohen rritjes së formalizmit dhe pjesa tjetër ka të bëjë me rritjen ekonomike. Për punësimin joformal, ne kemi përgatitë planin e veprimit ose projekte të veçanta për trajtimin e këtij fenomeni”, tha ai.
“Nga fundi i vitit 2021 ka filluar ky projekt dhe vazhdon edhe sot, dhe si rezultat i saj vetëm periudhën e zbatimit të këtij projekti diku mbi 5 mijë e 200 punëtorë të formalizuar. Vetëm vitin e kaluar i kemi mbi 4 mije e 130 punëtorë të identifikuar nga ATK si punëtor pa kontrata. Nëse e shohim trendin e numrit të punësuarve që raportojnë në ATK shihet se diku nëpër vite kemi mesataren rreth 20 mijë punëtorë që janë të raportuar në ATK. Kjo tregon që jemi në një trend të mirë”, tha ai.