Pas mungesës prej dy ndeshjesh shkaku i kartonit të kuq, Vedat Muriqi është rikthyer për ta bërë diferencën.
Sulmuesi kosovar e ndihmoi Mallorcan në fitoren e madhe 2:1 ndaj Valencias në udhëtim duke e shënuar golin e parë e parë për ekipin e tij nga penalltia.
28-vjeçari ishte skuqur në duel me Elchen, duke i lënë shokët në baltë.
Për këtë, atij i vjen shumë keq.
Por, ndihet i lumtur që u rikthye menjëherë për t’i ndihmuar shokët.
“Jam i mllefosur me veten sepse e bëra një budallallëk dhe i lash shokët të vuanin të vetëm. Do të ishte më mirë të vuanim të gjithë së bashku. Tash, u ktheva me një fitore dhe një gol. Nga një sulmues, nuk mund të kërkosh më shumë”, deklaroi Muriqi për mediat spanjolle.
Pa dyshim, rikthimi i tij ishte me peshë dhe u vërejt menjëherë në fitoren me Valencian.
“Jam i lumtur që u ktheva në skuadër dhe që e shënova një gol. Jam i lumtur që po i ndihmoj shokët e skuadrës me golat e mi. E kishim përpara një lojë ë vështirë dhe e dija se do të shkonte kështu, pasi po vinim nga katër ndeshje radhazi pa fitore. Kjo fitore do të na bëjë shumë mirë, do të na japë besim”, nënvizoi përfaqësuesi kosovar.
Pas Valencias, Mallorcan e pret një tjetër sfidë e vështirë, ajo ndaj Espanyolit, shkruan “Gazeta Express”.
“Kundër Espanyolit do të jetë edhe më e vështirë sesa ndaj Valencias. Për t’i përforcuar tri pikët e Mestallas, në duhet t’i arrijmë edhe tri pikë në këtë lojë para se të përballemi me Atletico Madridin”, përfundoi ish-futbollisti i Rizesporit, Fenerbahçes e Lazios.
Muriqi i ka realizuar 5 gola deri tash këtë sezon në La Liga, prej tyre tre me kokë dhe dy nga penalltia, ndërsa një 11 metërsh e ka humbur.
Ai gjithashtu ka kryer punë të tjera duke iu bërë presion kundërshtarëve në fushë, duke e larguar topin me kokë nga mbrojtja dhe duke bërë bllokime të suksesshme dhe dominim në ajër ndaj kundërshtarëve.