Ministri i Ministri i Financave, Punës dhe Transferev, Hekuran Murati, ka thënë se vendimi për rritjen e faturave të Tatimit në Pronë, padrejtësisht po tentohet t’i mëveshët Qeverisë. Sipas tij, ky vendim është marrë në Qeverinë Mustafa, por që ky hyrë në fuqi në kohën kur me ekzekutivin udhëhiqte Ramush Haradinaj, raporton Ekonomia Online.
Murati ka shpjeguar të premten në një konferencë për media se pjesa më e madhe e rritjes së faturave të tatimit në pronë krijohet nga tatimi i tokave.
Murati ka thënë se sipas nenit 7 të Ligji për Tatimin në Pronë i cili ka hyrë në fuqi më 26 janar të vitit 2018, në vitin e pestë të zbatimit të ligjit, hyn në fuqi tatimi 100 për qind i tokave.
Viti i pestë sipas Muratit i binte të ishte pikërisht viti 2023, që sipas tij, ka hyrë edhe automatikisht në fuqi ky vendim.
“Këtu duhet të kthehemi tek ligji që ka qenë në vitin 2018 për Tatimin në pronë. Ky ligj ishte miratuar nga Qeveria Mustafa, më 4 maj 2017 kur ministër i Financave ka qenë Hoti. Ky ligj nuk arriti të miratohej në Kuvend dhe të hyjë në fuqi sepse Qeveria kishte rënë, një javë më vonë. I njëjti ligj është proceduar në qeverinë Haradinaj dhe më 26 janar 2018 është publikuar në gazetën zyrtare dhe ka hyrë në fuqi”.
“Ky ligj i ka caktuar disa afate dhe disa kushte që i obligojnë institucionet të respektohen. Ky ligj sipas neni 7 ka paraparë që në vitin e 5-të të zbatimit të ligjit të hyjë në fuqi tatimi 100 për qind i tokave. Prej hyrjes në fuqi kanë filluar të tatimohen edhe tokat sepse njëherë kanë qenë vetëm ndërtesat. Viti 2023 është kur tatimi në toka aplikohet në vlerën 100 për qind, domethwnw këtë e obligon ligji. Ky ligj e ka përcaktuar qysh në vitin 2018 se tokat duhet të tatimohen dhe pjesa më e madhe e rritjes së faturave shkon nga ky tatim”, ka shpjeguar Murati.
“Pra, më herët s’ka qenë tatimi i tokave dhe prej hyrjes në fuqi të këtij ligji kanë hyrë edhe tokat, pasi më herët s’kanë qenë tokat por vetëm ndërtesat. Pjesa më e madhe e rritjes së faturave shkon nga ky tatim”, është shprehur Murati.
Tutje, ai tha se arsyeja e dytë për rritjen e disa faturave të tatimit në pronë ka të bëjë me vlerësimin e pronave rezidenciale por edhe me me shkallën tatimore.
“Për vlerësim, obligohet ministria e Financave, që të bëhet vlerësimi me automatizëm e që me udhëzimin administrativ të nënshkruar në vitin 2018 është përcaktuar që ri-vlerësimi i pronave rezidenciale të bëhet çdo tri vjet. Edhe kjo ka qenë e paracaktuar më herët që duhet të ndodh dhe është obligim ligjor që vlerësimi të bëhet me çmimet e tregut”.
“Kurse, kushti i dytë ka të bëjë me shkallët tatimore që i obligon komunat që të përcaktojnë shkallët tatimore sipas nenit 9, i cili thotë se shkallet tatimore përcaktohen për llojet e pronave dhe ka një interval prej 0.15% deri në 1% që komunat mund ta caktojnë për të rritur apo për të ulur tatimin në pronë”, është shprehur Murati