Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se për të hyrat vetanake, rregullohet me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.
Murati tha se të hyrat vetanake të pashpenzuara të komunave për vitin paraprak, bartën në vitin vijues.
“Kjo gjë rregullohet edhe me Ligjin e Buxhetit, i cili e thotë të njëjtën gjë. Dhe kjo është në tërësi në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike”, është shprehur Murati.
E, për këtë gjë, replikë pati nga shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se qeveria s’e ka shfrytëzuar buxhetin në qendër, e sipas tij, tash qeverisë i është kthyer komunave që t’ia merr buxhetin.
“Ky është një mashtrim, që na u ka bërë neve që e kemi miratuar Ligjin e Buxhetit sepse jemi dakorduar që të hyrat vetanake iu takojnë komunave”.
“Është një mashtrim ordiner në qoftë se vazhdoni t’i prekni këto komuna. Nuk guxoni ta bëni, sepse këtë do ta ndalim. Ne kemi biseduar me PDK-në e LDK-në, por edhe me kryetarin e kuvendit. Ne, këtë çështje s’do ta pranojmë në kuvend”, tha Tahiri.
Reagoi edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili ka paralajmëruar prishje të konsensusit për marrëveshjet ndërkombëtare në rast se “Qeveria prek të hyrat vetanake” të komunave.
Ai tha se kjo gjë s’do të lejohet të ndodhë në Kuvend meqë të hyrat vetanake të komunave janë të rregulluara me ligj dhe Kushtetutë.
“Si GP e kemi dhënë kontributin tonë edhe për ligjin për buxhetin. Qysh po e interpreton ministri është e padrejtë. Në paaftësinë e tij të menaxhimit të çështjes, po tenton të prekë në mënyrë të drejtpërdrejt atë që është e paprekshme. Ligjin për vetëqeverisje lokale. Kushtetuta parasheh vetëqeverisjen lokale dhe autonominë financiare. Të hyrat vetanake janë të paprekshme dhe s’ka shans dhe në asnjë formë, asnjë rrethanë të hyrat vetanake të merren. Vetëqeverisja lokale është shumë specifike në Kosovë. Financat lokale rregullohen me ligj”, tha ai.