Derisa në Pediatri janë pranuar pajisje të reja, pak më tutje kësaj klinike, në Onkologji, aty ku trajtim marrin pacientët me kancer, gjendja është kritike.
Mungesa e barnave të listës esenciale dhe pritjet për trajtim me rrezatim po e vështirësojnë gjendjen e pacientëve dhe familjarëve të tyre të cilët thonë se sa herë vijnë përballen me këto probleme. Por për to sot nuk ishte i interesuar të përgjigjet ministri i Shëndetësisë. Derisa as RTK nuk u lejua nga SHSKUK të filmojë brenda objekteve të kësaj klinike.
Këto pritje të pacientëve e familjarëve të tyre para Institutit Onkologjik janë të përditshme. Ata rrëfejnë për problemet që hasin. Mungesën e barnave e përmend secili.
“Çdo të tretin muaj po duhet me ble barna dhe janë të shtrenjta, mjekët po thonë pa i sjellë ministria, në s’kemi cka të bëjmë. Mjekët po sillen mirë, por po ka edhe shumë pacientë që po presin në radhë”, thotë një familjar i një pacienti të shtrirë në QKUK.
Pacientët të cilët trajtohen me rrezatim, thonë se është shumë e nevojshme aparatura e PET?CT-së, shërbimet e së cilës ata duhet të shkojnë t’i marrin jashtë vendit.
“Mungesa ma e madhja që shihet këtu është aparatura e Pet CT ?së, që nu kemi mundësi me bo këtu edhe duhet me shkuar në Turqi me bo dhe minimalja që kushte është 1000 euro, e kom bo muajin e kaluar edhe ndoshta duhet prapë me bon ë të ardhmen, kjo është mungesë e madhe se pothuajse cdo pacient që ka problem onkologjike detyrohet të shkojë ta bëjë”, thotë një pacient.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, kur u pyet nga gazetarët për këto probleme, propozoi tjetër temë për diskutim.
“Unë kisha propozuar që ju sot të bisedoni për ngritjen e kapaciteteve njerëzore natyrisht se ju e dini se kemi pak ndryshime në SHSKUK, e kemi tash u.d së drejtorit por për sot besoj që duhet me fol për mjekësin diplomatike edhe se si po e ndërtojmë sistemin shëndetësor”, thotë Rifat Latifi, ministër i Shëndetësisë.
Se sa është përqindja e furnizimit më barna të listës esenciale, Drejtoria e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar nuk ka dhënë informata e as leje për xhirim brenda institutit onkologjik.