Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se përgjatë natës së mbrëmshme ka pasur intervenime në zonat e prekura nga vërshimet.
MPB-ja me anë të një komunikate njofton se Agjencia e Menaxhimit Emergjent po vazhdon ta largojë ujin nëpërmjet pompave me shtëpitë e zonat e prekura nga përmbytjet, shkruan Demokracia.com.
“Nga mbledhja e raporteve periodike të të gjitha institucioneve relevante, pas ndaljes së reshjeve të shiut, vendi ynë ka kaluar natë të qetë, por me intervenime të ndryshme në zona të caktuara”, thuhet në njoftim.
“Njësitet profesionale të AME-së po vazhdojnë angazhimin me pompa për largimin e ujit në shtëpitë dhe në zonat ku ka pasur përmbytje nga vërshimet. Aktualisht, po intervenohet edhe në infrastrukturën e prekur nga vërshimet në mënyrë që shërbimet dhe qarkullimi për qytetarët të normalizohet. Në fokus vazhdojnë të jenë kërkesat dhe nevojat e familjeve që janë evakuuar dy ditët e fundit”.
“Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme do të vazhdojë koordinimin ndër-institucional me qëllim të reagimit në rastet e nevojshme dhe ndaj kërkesave të mundshme që do i pranojë nga Komunat dhe nga qytetarët”.