Është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi mes Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Transformimit dhe Shërbimit Publik të Republikës së Francës, bëhet e ditur në një komunikatë për media.Të dyja palët nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi, e cila fokusohet ndër të tjera në fuqizimin e burimeve njerëzore, përmirësimin e proceseve të rekrutimit dhe proceseve të tjera administrative, si dhe trajnimet në fushën e administratës publike.
Delegacioni i prirë nga zëvendësministri, Bardhyl Dobra gjatë qëndrimit të tij në Francë, u takua me Ministrin e Transformimit dhe Shërbimit Publik të Republikës së Francës, z. Stanislas Guerini dhe ekipin e tij.
Profesionalizimi dhe modernizimi i administratës publike, tërheqja e talenteve, arsimimi dhe trajnimet në fushën e administratës publike, thuhet të kenë qenë temat e diskutimit mes zëvendësministrit Dobra me ministrin Guerini.
“Nga ky takim u kuptua se të dyja shtetet përballen me sfida të ngjashme dhe se reformat që të dyja qeveritë janë duke ndërmarrë për të transformuar administratat respektive kanë ngjashmëri të mëdha dhe se bazohen në parime të pranuara si të mirëqena në botën demokratike si: meritokracia, besimi i qytetarëve në institucione, de politizimi i administratës, mundësi të barabarta për të gjithë, mobilitet përbrenda administratës dhe bashkëpunim me sektorin privat, administratë efikase, shërbime publike kualitative për të gjithë qytetarët”, thuhet në komunikatë.
Bëhet e ditur se ministri Guerini konfirmoi edhe një herë se ministria që ai drejton dhe institucionet vartëse si: Institut National du Service Public (ish-École nationale d’administration) janë të gatshme të përkrahin Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, në zbatimin e reformës ambicioze, të nevojshme e të kërkuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës, reformë që në pikat kyçe është e ngjashme me atë që Republika franceze është duke bërë po ashtu.
Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, zëvendësministri Dobra dhe ministri Guerini shprehën gatishmërinë që bashkëpunimi mes dy vendeve të thellohet edhe më tutje me takime të shpeshta të nivelit politik dhe profesional./kp