Një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë udhëtuar mbrëmë në Turqi.
Të njëjtit shkuan drejt Turqisë, në kuadër të një operacioni të kërkim-shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti.
Fondacioni SETA në Washington ka publikuar edhe pamje nga momenti kur ekipi i Kosovës ka arritur në Adana dhe është pritur me duartrokitje nga vullnetarët turq, transmeton lajmi.net.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka autorizuar dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës ndërsa Qeveria e Kosovës mbajti mbrëmë një mbledhje në të cilën është miratuar shkuarja e ushtarëve të FSK-së në këtë operacion kërkim-shpëtimi.
Ndryshe tërmete të fuqishme kanë goditur dje Turqinë dhe Sirinë. Mbi 4 mijë e 800 viktima janë shkaktuar si pasojë e këtyre tërmeteve.
Në Turqi dhe Siri po vazhdojnë përpjekjet për të shpëtuar personat që besohet se kanë mbetur nën rrënojat e mijëra ndërtesave të shkatërruara nga tërmetet e fuqishme që goditën këto dy shtete.
Mbi 4.800 persona raportohet se kanë vdekur, pasi një tërmet prej 7.8 ballësh goditi në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit. Epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.
Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit.
Agjencia për Fatkeqësi në Turqi tha se numri i viktimave nga tërmetet është rritur në 3.381. Orhan Tatar, zyrtar në Autoritetin për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave tha se 20.426 persona të tjerë janë plagosur dhe 5.775 ndërtesa kanë kolapsuar.