Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka uruar Ditën e Çlirimit por duke u shprehur se po e festojmë në kushtet më të rënda që nga paslufta.
Molliqaj në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se periudha nëpër të cilën po kalojmë, sipas tij, do të lë shenja dhe do të përcaktojë të ardhmen.
“Sot sulmohet veterani i këtij çlirimi. Sulmohet organizimi i armatosur për liri, përmes proceseve gjyqësore politike e një etnike. Dhe krejt kjo është luftë ndaj qëllimeve politike të UÇK-së. Tutje, kjo periudhë le shenja dhe përcakton të ardhme. Prandaj është e rrezikshme”, ka shkruar Molliqaj.
Vlen të kujtojmë që javën e kaluar veteranët e UÇK-së kanë protestuar para Kuvendit, duke kërkuar që të përfshiheshin në Ligjin për Pagën minimale.
Postimi i plotë:
Dita e çlirimit i thërret potencialit. Ajo na kujton përpjekjen dhe organizimin. Kjo ditë na kujton çlirimin.
Por kushtet në të cilat po festojmë çlirimin janë më të vështirat, që nga paslufta.
Sot sulmohet veterani i këtij çlirimi.
Sulmohet organizimi i armatosur për liri, përmes proceseve gjyqësore politike e një etnike.
Dhe krejt kjo është luftë ndaj qëllimeve politike të UÇK-së. Tutje, kjo periudhë le shenja dhe përcakton të ardhme. Prandaj është e rrezikshme.
Sot që po flasim, kemi nevojë për çlirim të narratives që pushteti ka kapur. Kemi nevojë për mobilizim.
Urime!