Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka kritikuar Qeverinë për përcaktimin e vlerës së koeficientit të pagave.
Ajo ka thënë se manipulimi me shifra është e reja e kësaj Qeverie.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se grafikonet që kryeministri i ka publikuar nuk janë reale.
Sipas tij, Qeveria ka hequr shtesat e ndryshme që tash sa kohë janë të rregullta dhe i ka llogaritur ato në pagën bazë.
“Manipulimi me shifra është e reja e kësaj Qeverie. Më herët kemi diskutuar mbi motivet e rritjes së pagave, nëse është dashur t’i rriten kësaj kategorie, apo tjetrës. Qeveria beson se mund ta dijë se sa para i keni në xhep më mirë se ju. Ajo i ka hequr shtesat e ndryshme që tash sa kohë janë të rregullta, duke i llogaritur ato në pagën bazë. Pra, marifeti është: me një të rënë lapsi zhvendosim paratë nga njëra anë në tjetrën, dhe shih ti paratë e njëjta tash i quajmë rritje page. Kjo është fryerja që secili do ta kuptojë sapo t’i dalë paga me “rritje”. Do të merret vesh se grafikonet e Kurtit e Muratit me shifra e përqindje nuk e kanë shtuar tryezën”, ka shkruar Molliqaj.
Ai ka bërë me dije se Kurti i ka nxjerr në grafikon vetëm kategoritë që kanë pasur rritje.
“Manipulimi tjetër është përzgjedhja e atyre kategorive ku ka pak më shumë rritje, gjithnjë duke e fryrë përmes manipulimit. Për policët, mësimdhënësit e punëtorët e administratës 50 euro rritje nuk e mbulojnë as inflacionin e vitit të fundit. Sigurisht, pa e përmendur stafin e ministrave me këshilltarë e anëtarë kabineti ku është rritja më e theksuar”, ka shkruar Molliqaj.