Partia Socialdemokrate ka ngjyrosur në të zezë dritaret e ndërtesës së Qeverisë, siç thanë për të treguar mbylljen e ekzekutivit karshi qytetarëve për zhvillimet e fundit në veri dhe planin franko-gjerman për dialogun.
Pasi përfunduan aksionin simbolik, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se dialog më të mbyllur dhe jodemokratik nuk ka pasur asnjëherë në historinë e Kosovës.
“Ajo çka mund të thuhet tash me gojën plot është se qeveri kurrë një herë, Kosova s’ka pasur më të mbyllur për opinionin publik dhe mediat. Në veçanti dialog më të mbyllur dhe jodemokratik se ky që e ka zhvilluar kjo Qeveri e Kosovës, asnjëherë në historinë e saj nuk ka pasur. Prandaj ne në mënyrë simbolike sot i kemi lyer në të zezë xhamat e Qeverisë së Kosovës, për të treguar se qytetarët e Kosovës, mediat e saj janë në një terr informativ”, tha ai.
Ai tha se kryeministri Albin Kurti po e përdor planin franko-gjerman si mekanizëm për të maskuar veprimet që po bëhen në veri.
I njëjti, sipas tij nuk është plani që kryeministri Kurti ka thënë se do të sjell në kuadër të marrëveshjes finale.
“Ka pasur më shumë se 1 vit e gjysmë negociata dhe si rezultat i tyre ka ardh te një draft franko-gjerman, të cilin asnjëherë publiku nuk u njoftua për përmbajtjen e tij, as nga qeveria dhe as nga ndërmjetësuesit. Ky plan tani po përdoret si mekanizëm për me masku veprimet që po i bën në veri dhe anasjelltas, po e përdorin veriun për të shpalosur planin. Pra, siç e keni pa, kryeministri zgjodhi veç dje me tregu që nuk e ka refuzuar planin…Jemi shumë të shqetësuar se kjo qeveri është e mbyllur. Sa herë që qeveritë janë të mbyllura kanë çka me fsheh. Ashiqare plani gjermano-francez nuk është plani që kryeministri Kurti ka propagandu që do të bie. Ju e dini që thoshte se nuk do të kishte asnjë kompromis dhe asnjë marrëveshje që nuk e ka në qendër njohjen nuk do të pranohet. Tani dje tregoi se ka pranuar planin me kritikat e tij që s’ka njohje fare”, shtoi ai.
Ndërkohë, kreu i PSD-së, tha se dorëheqjet nga institucionet të serbëve lokalë në veri janë shqetësuese. Sipas tij qytetarët atje në njërën anë po instrumentalizohen nga presidenti serb Vuçiq, në anën tjetër nga kryeministri Kurti.
“Ajo çka po ndodh në veri është shqetësuese për ne sepse kemi instrumentalizim të dyfishtë të qytetarëve të Kosovës, njërën anë nga Vuçiqi dhe anën tjetër nga kryeministri i Republikës së Kosovës. Ne besojmë se asnjë zgjidhje që është zgjidhje e përkohshme dhe parciale nuk është zgjidhje e duhur dhe nuk duhet të pranohet”, përfundoi ai.
Përkundër prezencës së madhe të Policisë së Kosovës, anëtarët e PSD-së që ngjyrosën me ngjyrë të zezë dritaret e ndërtesës së qeverisë nuk u arrestuan, për dallim nga herët e kaluara ku shpesh herë arrestoheshin.