Me 60 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Kurse, për këtë Ministria e Drejtësisë, përmes një komunikate për media ka thënë se reformat në drejtësi po jetësohen.
Sipas MD-së, përmes këtyre ndryshimeve KPK do të ketë përbërje të balancuar si dhe përzgjedhja e anëtarëve dhe funksionarëve të prokurorisë do të është më transparent.
“Përmes këtyre ndryshimeve, KPK do të ketë përbërje të balancuar në pajtim me standardet ndërkombëtare të konfirmuara nga Komisioni i Venecias. Po ashtu, Ligji i ri për Këshillin Prokurorial do të mundësojë që procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit, i Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe i kryeprokurorëve të prokurorive do të jetë transparent, i bazuar në kritere të qarta dhe po ashtu i bazuar në meritë”, thuhet në komunikatën e MD-së.
Sipas MD-së, këto ndryshime do të mundësojnë që Këshilli Prokurorial, por edhe sistemi prokurorial në tërësi t’i realizojnë përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore.