Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ishte në vizitë tek Agjencia Kundër Korrupsion, ku u takua me drejtorin e kësaj agjencie, Yll Buleshkaj.
Në takim u diskutua për miratimin e ligjeve të pakos kundër korrupsion por në veçanti për risit e Ligjit për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, me të cilin ligj ndryshon emërtimi dhe disa funksione të Agjencisë aktuale.
Ministrja Haxhiu shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e Qeverisë së Kosovës dhe të Ministrisë së Drejtësisë për mbështetjen dhe fuqizimin e Agjencisë për kryerjen e detyrave të parapara me ligjin e ri.
Në anën tjetër, drejtori Buleshkaj njoftoi Ministren me të arriturat dhe sfidat që Agjencia aktualisht është duke u përballur, si nevoja për riorganizim të stafit, nevoja për rritjen e numrit të stafit dhe nevoja për ngritje të buxhetit të Agjencisë për funksionim më efikas.
Në takim po ashtu u diskutua çështja e mbrojtjes së sinjalizuesve sidomos nevoja për informim më të mirë të publikut, për mënyrën e raportimit por edhe për rastet që mund të sinjalizohen. Gjithashtu u pajtuan për bashkërendim të punëve në nxjerrjen e udhëzuesve që dalin nga rregullorja për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe trajnimin e zyrtarëve për pranimin e sinjalizimit nëpër institucione.