Ministrja e Arsimit, Shkencës,Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), A.N është deklaruar e pafajshme lidhur me akuzën se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Me kërkesë të gjykatëses Naime Krasniqi- Jashanica, ky rast raportohet me inciale.
A.N po akuzohet se më 21 mars të 2018-ës, gjatë mbajtjes së seancës në Kuvendin e Kosovës në të cilën ishte hedhur gaz lotsjellës, gjatë kontrollimit nga policia asaj i ishte gjetur një sprej ngjyrë e gjelbër me pjesë spërkatëse të zezë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Deklarimin rreth fajësisë, ministrja N. e bëri në seancën fillestare të mbajtur të premten, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Merrushe Llugiqi.
Pas kësaj, gjykatësja Krasniqi-Jashanica, e informoi atë për të drejtën e hudhjes se aktakuzës dhe kundërshtimit të provave në afat prej 30 ditesh.
Fillimisht, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatësit të Departamentit të Përgjithshëm në Divizionin Penal të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Ertan Sejfulla, mirëpo i njëjti përmes një akti përcjellës të 2 marsit 2020, këtë lëndë e kishte përcjellë në Departamentin për Krime të Rënda.
“Me akte përcjellës me datë 02.03.2020 gjyqtari Ertan Sejfulla nga DP në këtë gjykatë e ka përcjellë lëndën në DKR”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Kurse, sipas programit të SMIL-it lënda i ishte ndarë gjyqtarit Agim Kuçi, i cili kishte kërkuar përjashtimin e tij nga trajtimi i këtij rasti.
“Sipas vendimit GJA nr 495/2021 të datës 25.08.2021 me Aktvendim të Kryetares Albina Rama është aprovuar kërkesa e gjyqtarit Agim Kuqi për përjashtimin e tij nga ky rast penal pasi ai më parë në këtë çështje ka marr veprime si gjyqtar i procedurës paraprake”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Aktualisht kjo lëndë trajtohet nga gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila është ngritur më 30 korrik 2019 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, A.N po akuzohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Aktakuza thotë se më 21 mars 2018, e pandehura N. në mënyrë të paautorizuar dhe në kundërshtim me ligjin mbi armët ka mbajtur në posedim sprejin me ngjyrë të gjelbër, me pjesë spërkatëse të zezë me mbishkrimin “NATO American Style”.
Tutje, në aktakuzë thuhet se deri sa gjatë mbajtës se seancave në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës ku ka pasur hudhje të gazit lotsjellës nga disa deputetë, policia për të parandaluar hudhjen e serishme të gazit ka kontrolluar në mënyrë fizike nëpër trup gjithë deputetët.
E gjatë kontrollit trupor të të pandehurës N., akti akuzues thotë se asaj i është gjetur dhe sekuestruar spreji i lartcekur.
Me këtë, A.N po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.