Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se përplasjet në rrugë nuk çojnë në arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.
Borrell ka thënë se ministriat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë sot për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
Ai ka thënë se përplasjet në rrugë nuk kontribuojnë në gjetjen e një kompromisi.
“Menduam se kishim arritur një marrëveshje, por serbët e Kosovës iu përgjigjën arrestimit të ish-policit serb të Kosovës me trazira në rrugë, madje ata hodhën shok-bomba ndaj policëve tanë. Kjo është e papranueshme. E di që të dyja palët po përpiqen për de-përshkallëzimin, por duhet ta kuptoni se përplasjet në rrugë nuk çojnë në arritjen e një marrëveshjeje dhe nuk është rruga e duhur për normalizimin e situatës”, tha Borrell.
Shefi i diplomacisë europiane të dielën e dënoi sulmin ndaj një patrulle të EULEX-it në veri të vendit.
Ndaj kësaj deklarate të Borrell reagoi ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, duke thënë se njëjtë duhet të reagonte edhe për sulmet ndaj Policisë së Kosovës.
Në veri të Kosovës, serbët kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar rrugë qysh të shtunën pasdite, pasi Policia e Kosovës ka arrestuar ish-zyrtarin serb, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të vendit.