Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se javën e kaluar kryeministri Albin Kurti dhe Ministrja Artane Rizvanolli, janë pritur në takim nga nënsekretarja e Tregtisë për Tregti Ndërkombëtare të ShBA-ve, Marisa Lago, rapoton Express.
Sipas njoftimit të Ministrisë, Lago ka falënderuar Kryeministrin Kurti për bashkërenditjen e menjëhershme të Republikës së Kosovës me shtetet partnere, ShBA-të dhe Bashkimin Evropian, për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
“Ajo u shpreh se kompanitë e ShBA-ve janë të interesuara të rrisin bashkëpunimin dhe tregtinë me shtete partnere të cilat ndajnë të njëjtat vlera demokratike. Gjatë takimit është diskutuar rreth rritjes së bashkëpunimit tregtar mes Kosovës dhe ShBA-ve si dhe kompanive të të dyja vendeve, në veçanti në sektorët e ICT-së, energjisë dhe sigurisë kibernetike”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Kurti thuhet se e ka njoftuar nënsekretaren Lago rreth punës që Qeveria e Kosovës është duke e bërë në themelimin e Gjykatës Komerciale, procesit të vetingut si dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme si metoda të luftimit sistematik të krimit dhe korrupsionit.
“Ministrja Rizvanolli ka shpalosur punën që është duke u bërë në zhvillim të Sektorit të Energjisë në vend, në veçanti për rritjen e pavarësisë energjetike si dhe mundësitë që ky sektor ofron për investime të huaja. Kryeministri Kurti ka njoftuar nënsekretaren Lago rreth punës që Qeveria e Kosovës është duke e bërë në themelimin e Gjykatës Komerciale, procesit të vetingut si dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme si metoda të luftimit sistematik të krimit dhe korrupsionit.
Nënsekretarja Lago është shprehur përkrahëse ndaj luftimit sistematik të korrupsionit duke theksuar që procese të tilla janë kritike për rritjen e besueshmërisë së kompanive ndërkombëtare në Institucionet e Kosovës, duke tërhequr kështu investime të mëdha dhe serioze”, thuhet në njoftim.