Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës që të vaksinohen kundër COVID-19.
Me anë të një mesazhi drejtuar qytetarëve, Latifi ka thënë se rastet me COVID-19 në vend janë rritur, dhe sipas tij kjo dëshmon se pandemia nuk ka përfunduar, shkruan lajmi.net.
“Me përuljen më të madhe, ju lus që për shëndetin tuaj dhe shëndetin tonë të përgjithshëm, të vaksinoheni, me dozën e radhës të vaksinës kundër COVID-19, në mundësinë e pare”, ka thënë tutje ministri Latifi.
Mesazhi i plotë i ministrit:
Kosova është vendi me shkallën më të lartë të vaksinimit kundër COVID-19 në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ekipet tona të vaksinimit, kanë dhënë deri tash mbi 1.8 milionë doza të vaksinës, ndërsa rreth 1 milionë qytetarë kanë marrë së paku një dozë të vaksinës.
Ajo që kemi parë ditëve të fundit, ku rastet e COVID-19 janë rritur, na dëshmon të gjithëve se pandemia nuk ka përfunduar dhe ne kemi ende rrugë për të bërë deri në fundin e saj.
Variantet e reja dhe zbehja e kujdesit ndaj virusit, përbëjnë një rrezik real për ne dhe familjet tona. Sidomos për ata që nuk janë vaksinuar ende. Kjo mund të sjell vështirësi të tjera për personelin shëndetësor dhe të kthejnë pamjet dhe përjetimet e rënda në spitalet tona.
Prandaj, na duhet patjetër ta rrisim kujdesin, për të evituar kthimin e kufizimeve të rënda, të cilat nuk i do askush nga ne, por që në situata të caktuara imponohen.
Jemi në stinën e pushimeve verore dhe vendi ynë pret që ditëve dhe javëve në vijim, shumë mërgimtarë të vijnë në Kosovë, për t’u bashkuar me familjet e tyre dhe për të ndarë momente gëzimi dhe përjetime të ndryshme me të gjithë ne.
Ata do të vijnë në shtëpitë, familjet dhe në vendin e tyre të dashur dhe ne, si gjithmonë, i mirëpresim.
Ju lusim që t’i shfrytëzoni mundësitë e ofruara në vendet prej nga vini dhe të vaksinoheni. Nëse se keni bërë këtë, do t’u ofrojmë çdo mundësi që vaksinën te marrin në Kosovë, për të pasur pushime të rehatshme e të shëndetshme.
Qytetarë të dashur,
Kosova, falë angazhimit të institucioneve tona dhe përkrahjes së miqve tanë, ka vaksina të mjaftueshme për çdo qytetar që është apo që mund të vjen këtu. Për të gjitha moshat dhe kategoritë e popullatës. Por, kemi nevojë që thirrjes për vaksinim t’i përgjigjeni me përgjegjësi.
Mos ta harrojmë faktin, se përkundër suksesit të vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë, ka ende vende ku vaksinimi është i ulët. Prandaj, më të sigurt, do të jemi vetëm atëherë kur secili nga ne, e bën atë që duhet bërë përballë virusit: zbatimin e masave të kujdesit dhe vaksinimin e plotë. Për ta parandaluar infeksionin, format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet.
Me përuljen më të madhe, ju lus që për shëndetin tuaj dhe shëndetin tonë të përgjithshëm, të vaksinoheni, me dozën e radhës të vaksinës kundër COVID-19, në mundësinë e parë.
Shëndeti është vlera më e madhe për çdo njeri prandaj ta vlerësojmë, ruajmë dhe të kujdesemi për të!