Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), sot ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për uljen e pagave për gjykatës dhe prokurorë është i kundërligjshëm.
Ai ka potencuar se nuk mund të zbatohet një vendim, sipas tij, i kundërligjshëm.
“Një jurist me njohuri elementare e din se vendimi i Qeverisë per uljen e pagave për gjykatës dhe prokurorë është i kundërligjshem. Ky vendim nuk ka me gjetë zbatim. Nuk mundet mu zbatu nje vendim i kunderligjshem. Më vjen keq per Kryeministrin Kurti për nivelin e njerëzve që e keshillojne në çeshtje te drejtesise. Keta nuk ia dojne te miren Kryeministrit. Te njejtit nuk duhet me vene ne situata te tilla Kryeministrin.”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka shfuqizuar vendimin e ish-Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët në vitin 2017. Kryeministri Kurti ka thënë se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm para datës së hyrjes në fuqi të vendimit për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar, rrjedhimisht edhe këtyre institucioneve të drejtësisë.