Njohja e Kosovës nga Serbia në fund të një marrëveshje mes dy shteteve, Procesi i Berlinit si prioritet dhe mbështetja për liberalizimin e vizave për Kosovën ishin disa prej mesazheve kryesore të Kancelarit gjerman Olaf Scholz gjatë konferencës së përbashkët që pati me kryeministrin Albin Kurti.
Kancelari Olaf Scholz, në vizitën e tij të parë në Prishtinë u shpreh qartë se marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Scholz u përkujdes të çojë mesazh se Serbia s’mund të hyjë në BE pa e njohur Kosovën, shkruan Gazeta Express.
“Përfaqësuesi i BE-së Lajçak e ka mbështetjen tonë kurse dialogu është platforma që i hap rrugën evropiane Kosovës. Marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe njohjen e Kosovës sepse është e paimagjuneshme që dy shtetet që nuk e njohin njëra-tjerën të anëtarësohen në BE”, tha Scholz.
Shefi i qeverisë federale gjermane tha se Gjermania i jep prioritet të madh Procesit të Berlinit në vend të “Open Balkan”.
“Sa i përket Open Balkan, dua ta them të qartë se ne prioritet të madh i japim Tregut të Përbashkët Rajonal që mendojmë se duhet të përparojë dhe çështjet brenda tij mund të realizohen dhe të çohen përpara. Të gjithë duan të shkojnë në BE atje edhe ashtu ekzistojnë dhe janë të vlefshme rregullat e lirisë së lëvizjes dhe kushdo që dëshiron t’i bashkohet BE-së duhet t’i ndjek ato”, u shpreh kancelari gjerman.
Ai përmendi gjithashtu një konferencë që do ta organizojë për “Procesin e Berlinit”.
“Dëshiroj që së bashku me partnerët tanë ne kuadër të Procesit të Berlinit, ta rijetësojë atë këtë vit, dhe një vjeshtë do të ftojë për një konferencë në Berlin”, ka thënë Scholz.
Duke folur për liberalizimin e vizave, Scholz tha se Kosova ka plotësuar kushtet dhe tani shtetet evropiane duhet të binden ashtu siç është bindur Gjermania.
“Unë e kam thënë edhe më herët ne angazhohemi që liberalizimi i vizave të vijë sa më shpejt pasi që kushtet janë plotësuar dhe për këtë flasim me të gjithë partnerët në Evropë dhe ata të binden siç jemi bindur ne që moti”, tha Scholz.
Kjo ishte vizita e parë e Olaf Scholz në Kosovë si kancelar i Republikës Federale të Gjermanisë.
Scholz e ka nisur me Prishtinën turin e tij dy ditor ballkanik, ndërkaq pasdite ai udhëton për në Beograd.
Kancelari gjerman do ta vizitojë edhe Shkupin e Sofjen për ta përmbyllur me Selanikun ku do të marrë pjesë Samitin e krerëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).
Në Greqi, do të marrë pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani dhe do të jetë e pranishme në një darkë të përbashkët me Kancelarin Scholz.