Analisti shqiptar Mero Baze ka thënë se me shkurtimin e rrugës për në Sarandë, ky rajon po kthehet në hartën e turizmit shqiptar.
Ai këtë po e sheh edhe si strategji të re të ndërtimit të një turizmi afatgjatë në bregdetin jugor shqiptar, për të cilin tha se ka qenë për dekada të tëra një destinacion jofitimprurës.
“Përfundimi dhe i tunelit të Llogarasë në vitet në vazhdim dhe ndërtimi i rrugës së re të Rivierës shqiptare, ndërtimi i Aeroportit të Vlorës dhe Sarandës, kompletojnë një infrastrukturë që zhvendos qendrën e rëndesës së turizmit shqiptar nga Durrësi, drejt jugut”, shkruan Baze.
Ndërkaq, për Dhërmiun Baze u tregua kritik për mënyrën e të bërit turizëm.
Ai thotë se tashmë mijëra turistë të Sarandës për 30 minuta mund të darkojnë në Gjirokastër, të shijojnë një qytet të UNESCO-s dhe të kthehen nëse duan sërish në Sarandë.
Shkrimi i plotë:
Të shtunën drejt Sarandës shkohet 40 minuta më shpejt dhe disa herë më i shlodhur, për shkak të përfundimit të rrugës Kardhiq- Delvinë, një rruge kyç që rikthen jo vetëm jugun e Shqipërisë me fytyrë nga deti, por formon një gjymtyrë të rëndësishme në strategjinë e ndërtimit të një turizmi afatgjatë në bregdetin jugor të Shqipërisë, i cili ka qenë për dekada të tëra një destinacion jo fitimprurës, për shkak të distancave të papranueshme për kompanitë e turizmit.
Së bashku me bypass e Vlorës, rrjetin rrugor që përshkruan gjithë Labërinë, ku futet rruga Kuç- Vlorë, Kuç- Qeparo dhe Kuç- Gusmar, dhe hapja e tunelit të Kardhiqit, e bën bregdetin jugor të Shqipërisë një destinacion afatgjatë, që do të prodhojë turizëm të qëndrueshëm dhe fitimprurës për shqiptarët.
Përfundimi dhe i tunelit të Llogarasë në vitet në vazhdim dhe ndërtimi i rrugës së re të Rivierës shqiptare, ndërtimi i Aeroportit të Vlorës dhe Sarandës, kompletojnë një infrastrukturë që zhvendos qendrën e rëndesës së turizmit shqiptar nga Durrësi, drejt jugut.
Çfarë e bën të qëndrueshëm industrinë e turizmit tani e tutje, nuk është thjesht infrastruktura që të çon në bregdet, por mbi të gjitha diversifikimi i turizmit detar me atë malor, që tani është i arritshëm dhe që krijon një potencial të pashembullt për zhvillimin e gjithë jugut.
Kur nisi të projektohej rruga Kardhiq- Delvinë në vitin 2006, skeptikët e kësaj rruge, problemin më të madh kishin se rruga do të anashkalonte Gjirokastrën dhe do ta izolonte atë.
Ishte një argument që e kishte përdorur dikur dhe Enver Hoxha kur ja kishin propozuar. Për fat, me këtë argument e bindëm Berishën ta fillonte, por që e la gjysëm, pasi nuk ju përkthye ne vota më 2009.
Në të vërtetë, nëse ka një rrugë që i shërben më shumë Gjirokastrës, se sa Sarandës, tani është kjo rrugë. Saranda ka qenë për dekada të tëra një qytet i izoluar, pa ofertë turistike, përveç detit, dhe me një sezon veror të kufizuar në dy muaj.
Hapja e gjithë rrjeteve rrugore nga Labëria drejt detit, rrugët që përshkruajnë malet nga Tepelena në Progonat e Nivicë, drejt Kuçit e Qeparait, rruga Kardhiq- Delvinë dhe zhvillimi që ka nisur të marrë agroturizimi në këto zona, do të jenë furnizuesit kryesor për një turizëm të ri shumë më të diversifikuar se deri tani.
Çmimet e larta marramendëse të Dhërmiut që shpesh kalojnë në neveri, tani do të kenë një konkurrencë të denjë për mijëra qytetarë që nuk duan foto në Instagram nga zonat rezidenciale të Dhërmiut, që ngjajnë si kampe palestnieze të bëra me miliona.
Për 20 minuta nga Qeparoi ti mund të drekosh në lartësitë e Kuçit me çmime dhjetë herë më të lira, mund të flesh në bujtinat e Labërisë apo Rrëzomës, dhe mund të rivitalizosh si qytet turistik Delvinën.
Mijëra turistë të Sarandës për 30 minuta mund të darkojnë në Gjirokastër, të shijojnë një qytet të UNESCO -s dhe të kthehen nëse duan sërish në Sarandë.
Përmeti, Tepelena dhe Lunxhëria e kanë detin pak më shumë se 30 minuta, deri në një orë.
Përfundimi i aeroporteve dhe hoteleve të mëdha që kanë nisur në bregdet, do të zgjasë turizmin nga 2 deri në 6 muaj dhe do të krijojë klasën e bizneseve të turizmit që do të rezistojë dhe në dimër.
Kam dëgjuar plot vajtime për kostot e rrugës së Kardhiqit, nga deputetë që kam frikë se nuk kanë qenë kurrë në Sarandë dhe nuk e kanë idenë se ku kalon ajo rrugë, por kjo është një sëmundje që shërohet shpejt, pasi ta provojnë dhe ta shijojnë.
Çmimi i atij rrjeti rrugor, jo vetëm që nuk është i paarsyeshëm, por është dhe më efeçienti i gjithë rrugëve që janë bërë në Shqipëri, pasi janë investime që përkthehen në nxitjen e miliarda investimeve private që do shkojnë në bregdet dhe turizmin malor.
Shqipëria përfundimisht javën e parë të korrikut ka fituar një jugun e saj, një nga pasuritë më të madhe natyrore që i ka falur Zoti dhe që e ka pas izoluar me paaftësinë dhe mungesën e vizionit për ta kthyer siç po kthehet, në një pasuri kombëtare.
Është e vërtetë që Edi Ramën keni për ta parë qysh nga nesër deri më 9 korrik duke inauguruar gjithë rrugët e jugut, që në fakt janë një histori e re e Shqipërisë turistike, por ata që nuk e durojnë dot këtë skenë mund të fikin TV, t’ia hipin makinës dhe të shkojnë ta shijojnë.
Atyre që nuk u del e keqja me Shqipërinë le të shkojnë të vajtojnë me Berishën më 7 korrik, i cili njësoj si Lavdërim Muhaxheri i ISIS mallkon se “ditë të zeza e presin Shqipërinë prej tij”.
E dimë, e kemi dëgjuar dhe nga ISIS këtë, por për fat ai që e tha vdiq shpejt. Ky pasuesi i Muhaxherit mirë është të rrojë gjatë dhe të vuajë nga fakti që Shqipëria po bëhet më e mirë.