Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur ka kërkuar të zbardhet fati i personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Krasniqi, në një postim në Facebook, është shprehur se Serbia, që është shkaktare e zhdukjes së tyre, akoma nuk ka treguar për fatin e qytetarëve të Kosovës që janë zhdukur me dhunë.
“Fatkeqësisht, Serbia, si shkaktare e zhdukjes së tyre, akoma nuk ka treguar për fatin e qytetarëve të Kosovës që janë zhdukur me dhunë, duke refuzuar ta përmbush këtë obligim legal, por para së gjithash human. E drejta ndërkombëtare humanitare e kërkon këtë, Kosova e kërkon këtë, familjet e personave të zhdukur në vendin tonë e presin këtë. Prandaj, sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur – qëndrojmë pranë familjeve kosovare që akoma presin një lajm për më të dashurit e tyre”, shkruan lideri i PDK-së.