Qytetarët janë duke mbajtur protestë në Prishtinë pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares nga pesë persona të dyshuar.
Në protestë ka marrë pjesë edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se qytetarët janë shokuar nga rasti makabër i dhunimit të vajzës 11-vjeçare në Prishtinë, duke thënë se ky nuk është një rast i izoluar i dhunës ndaj vajzave dhe grave në Kosovë.
“Prandaj, shteti, urgjentisht dhe me vendosmëri, duhet që të reagoj në të gjitha instancat për të rritur ndërgjegjësimin, për të përmirësuar edukimin, krijuar sigurinë dhe garantuar drejtësinë për vajzat dhe gratë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai ka thënë se duhet të veprohet sot që të dërgohet mesazh i qartë tek të gjithë dhunuesit se shteti, por edhe shoqëria, do të mbrojë vajzat dhe gratë me forcën e palëkundur të ligjit.
Postimi i plotë:
Edukim. Parandalim. Siguri. Drejtësi!
Këto ditë, të gjithë jemi të shokuar nga rasti makabër i dhunimit të vajzës 11 vjeçare në Prishtinë. Dhe, për më keq, ky nuk është një rast i izoluar i dhunës ndaj vajzave dhe grave në Kosovë.
Prandaj, shteti, urgjentisht dhe me vendosmëri, duhet që të reagoj në të gjitha instancat për të rritur ndërgjegjësimin, për të përmirësuar edukimin, krijuar sigurinë dhe garantuar drejtësinë për vajzat dhe gratë.
Të veprohet sot, që të dërgohet mesazh i qartë tek të gjithë dhunuesit, se shteti, por edhe shoqëria, do të mbrojë vajzat dhe gratë me forcën e palëkundur të ligjit.