Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur këtë të martë në takim kongresmenin amerikan, Ritchie Torres, të cilin e ka quajtur “mik i madh i vendit dhe populli tonë”.
Në këtë takim, ndër të tjera Mehaj ka ripërsëritur kërkesën për vendosjen e një baze të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë, e cila sipas tij, do të shërbente si garancë për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e përgjithshëm të rajonit.
“Senatorin e njoftova edhe me të arriturat tona të përgjithshme, proceset aktuale zhvillimore si dhe synimet tona për të ardhmen, duke i rikujtuar kërkesën tonë për vendosjen e një baze të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë që do të shërbente si garancë për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e përgjithshëm të rajonit”, ka shkruar ai në Facebook.
Mehaj gjithashtu ka thënë se Kongresmenin Torres e ka njoftuar me situatën aktuale të sigurisë në vend pas krizës në Ukrainë dhe “ndikimit destabilizues rus përmes qasjes destruktive të Serbisë kundër Kosovës dhe në përgjithësi kundër paqes, sigurisë dhe stabilitetit të rajonit tone”.
“Duke i dëshiruar mirëseardhje në vendin tonë, Kongresmenit Torres i shpreha edhe këtë radhë falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për gjithë mbështetjen e dhënë nga ai në Kongresin Amerikan për ne, SHBA-së si vend aleat jetik dhe popullit amerikan si komb mik yni”.
“Ritheksova se vizioni ynë shtetëror është anëtarësimi në NATO, në aleancë të përhershme me SHBA-në, gjithmonë në mbrojtje të vlerave të lirisë, paqes dhe demokracisë”, ka përfunduar ministri Mehaj