Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj me rastin e një vjetorit të Luftës në Ukrainë, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se edhe pas një viti forcat okupatore Ruse vazhdojnë luftën kriminale dhe shkatërrimin e Ukrainës, ndërsa siç shprehet ai, Ukraina vazhdon rezistencën heroike për çlirim të plotë nga okupatori.
Ai ka thënë se i vetmi faj i Ukrainës ishte sepse u përcaktuan që fati i tyre politik të jetë demokracia, Bashkimi Evropian dhe NATO.
Ministri ka deklaruar se ka besim që e mira do të triumfojë mbi të keqen dhe se Ukraina do të dal fitimtare në të drejtën e saj.
“Një vit Luftë në Ukrainë! Më 24 shkurt 2022 Rusia filloi sulmin e paprovokuar ndaj Ukrainës. I vetmi “faj” i Ukrainës ishte sepse u përcaktuan që fati i tyre politik të jetë demorkacia, BE dhe NATO. Edhe pas një viti forcat okupatore Ruse vazhdojnë luftën kriminale dhe shkatërrimin e Ukrainës, ndërsa Ukraina vazhdon rezistencën heroike për çlirim të plotë nga okupatori. Kosova është krenare që u rreshtua me botën demokratike kundër agresionit Rus. Jemi të përkushtuar të vazhdojmë mbështetjen e Ukrainës në kuadër të Grupit të Kontaktit për Ukrainën, ku jemi anëtar krah për krah me aleatët tanë nga NATO dhe BE. Regjimet autokratike mbesin kërcënim për paqen kudo në botë, por edhe në rajonin tonë. Serbia me regjimin e saj autokratik mbetet aleati i vetëm i Rusisë në fqinjësinë tonë. Por, edhe ne mbesim të palëkundur në orietimin tonë drejt NATO-së dhe BE-së. Mbesim me besim të plotë se e mira do të triumfoj mbi të keqen dhe se Ukraina do të dalë fitimtare në të drejtën e saj dhe popullit të saj. Lavdi Ukrainës!”, ka shkruar Mehaj.