Shkruan: Osman GORANCI
Në prag të ndërrimit të moteve, në qytetin e stolisur me llampa shumëngjyrëshe nenoni dhe me aktivtete të shumta kulturore, në Galerinë e Artit vizual në Prizren, u hap ekspozita personale CODE 7, i piktorit Kamuran Goranci, ku krahas adhuruesve të shumtë të artit, dhe mysafirëve të tjerë, ishte prezente edhe ministrja e arsimit Arbërije Nagavci.
Pas realizimit të 6 ekspozitave të fundit nga Code 1 deri tek Code 6, në Koln të Gjermanisë, në Galerinë e Arteve në Tiranë, në Galerinë e Shkodrës, në Galerinë nacionale të Maqedonisë së Veriut, në Maison de l’Albanie në Paris dhe në Maison Culturelle Belgo-Albanaise në Bruksel, artisti Kamuran Goranci, me ekspozitën Code 7, me 28 dhjetor zbarkoi në qytetin e tij të lindjes, në Prizren.
Njëzet e dy punime artistike, që shfaqin një stil të veçantë, të punës, të përjetimeve dhe të koncepteve të botës së brendshme, por edhe të jashtme të autorit, në teknikën akrilik në pëlhurë, janë një thesar i çmuar i artit vizual, që për dy javë në Galerinë e Artit të kryeqytetit shpirtëror e kulturor të të gjithë shqiptarëve, do të jetë e hapur si për adhuruesit e artit, ashtu edhe për vizitorët e tjerë të rastit ose qëllimor në Prizrenin e lashtë.
Pikturat e Kamuran Gorancit të ekspozuara në Galerinë e Artit në Prizren, si një vlerë e çmuar shpirtërore, paraqesin një arritje të veçantë artistike, ose ndërthurje të thellë të elementeve kulturore, kur çdo punim është një shprehje unike që pasqyron identitetin e tij apo pasionin për art, të ushqyer dhe ndërtuar ndër vite.
Përmes ngjyrave, të hedhura me një mjeshtri të përsosur në pëlhurën e bardhë, e ku më së shumti dominojnë ngjyra e gjelbër, e verdhë, e kuqe, por edhe e bardha, autori na paraqet pamje abstrakte ekspresioniste, dhe arrin të krijojë një narrativë të fuqishme vizuale, duke krijuar një barazpeshë me dritës dhe errësirës, mes kaosit urban dhe të bukurës, me njjë lidhje emocionale mes të kaluarën dhe të tashmes.
Simbolika dhe teknikat vërehen në një formësimin të qartë e logjik të konstruktit, e që pasqyrojnë aftësinë dhe kontributin e Gorancit si artist I respektuar në trasenë e artit bashkëkohor shqiptar.
Në fund të theksojmë se Artisti Goranci i takon brezit të mesëm të krijuesve figurativ, të cilët kah fundi i viteve të 70-ta, ka luajtur rol me rëndësi në zhvillimin e artit pamor në Kosovë. Kurse në vitin l981, i pëfundoi studimet e magjistraturës për pikturë në Akademinë e Arteve në Beograd. Është pjesëmarrës në shumë ekspozita kolektive e personale si në Kosovë po ashtu edhe në qendra të ndryshme evropiane. Është dhe laureat i shumë shpërblimeve si dhe bashkëthemelues i Asocioaciuonit të Artistëve Vizual të Kosovës.