Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj së bashku me Drejtoreshën e MCC-së, Alice Albright kanë bërë lansimin e dy platformave, me ç’rast kanë nënshkruar Marrëveshje Mirëkuptimi, raporton Ekonomia Online.
Platformat e lansuara janë: Platforma e të Dhënave Online (ODP), e cila ofron të dhëna statistikore për performancën e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe Mekanizmi për përcjelljen e lëndëve (CTM), i cili ofron informacione për palët që kanë lëndë në gjykatë, statusin e tyre si dhe veprimet procedurale të realizuara lidhur me lëndën.Me këtë rast Zogaj tha se këto platforma i mundësojnë qytetarëve që të kenë qasje më të lehtë në lëndët e tyre dhe kthen besimin në gjyqësor.
Ai e ka falënderuar MCC-në për mbështetjen e vazhdueshme në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës.
“Këto platforma online i mundësojnë qytetari përcjelljen e punës së Këshillit gjykatave dhe aksesit shumë ma efikas e ma të lehtë. Këto platforma e lehtësojnë jetën e qytetarit dhe ne besojmë që ka me kontribuar edhe në besueshmërinë e publikut në gjyqësor dhe një prej objektiva është hapja e gjyqësorit dhe komunikimit me qytetarë”.
“Përcjellja e lëndës në gjykatë është e jashtëzakonshme, kemi numër të madh të lëndëve i kemi 200 mijë lëndë aktive, mund ta kuptoni sa e rëndësishme është që qytetarët të kenë qasje në lëndët e tyre. E vlerësojmë dhe jemi shumë mirënjohës për mbështetjen tuaj”.
Kryeshefja ekzekutive e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright, tha se institucionet duhet të jetë të qasshme për qytetarët në çdo formë.Sipas saj, kjo siguron marrje të shërbimeve në kohë reale duke krijuar kështu edhe llogari të institucioneve, që siç tha ajo përbën shtyllën bazë të qeverisjes, raporton EO.
“Jam shumë e emocionuar që jam këtu në përmbyllje të programit të ndihmës së MCC-së. Qasja e publikut në të gjitha vendimet e institucioneve është esenciale, sidomos në këtë sektorë që ka të bëjë me lëndët gjyqësore”.