Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë do të takohen më 20 qershor. Mësohet se takimi mes dy kabineteve do të mbahet në Kosovë.
Mbledhja e fundit e qeverive Kosovë-Shqipëri u mbajt në fund të nëntorit të shkuar në Elbasan ku u nëndshkruan disa marrëveshje.
Mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë ka një histori 7 vjeçare.
Gjatë këtyre viteve janë firmosur 86 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi, ku shumica e tyre janë të pazbatuara.
Mbledhja e parë u mbajt më 11 janar 2014 në Prizren, ku kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Hashim Thaçi e cilësuan këtë ngjarje si historike për të dy vendet dhe nënshkruan deklaratën për partneritet strategjik.
Tradita vazhdoi edhe me 3 qershor 2016 në Prishtinë, ku ish kryeministri Mustafa ishte mikpritësi.
Më pas, me moton “Një tokë, një popull, një ëndërr” mbledhja e 4 e dy qeverive u mbajt ne Korçë më 27 nëntor 2017 ku në krah të kryeministrit Rama qëndronte kryeministri Ramush Haradinaj.
Një vit më vonë të njëjtit kryeministra mbledhjen e vazhduan më 26 nëntor në qytetin e Pejës.
Nën sloganin “bashkë pa kufij, në një rajon pa kufij” u mbajt mbledhja e gjashtë më 2 tetor 2020 ne Tiranë, ku kryeministër i Kosovës ishte Avdullah Hoti.