Policia e Kosovës ka mbajtur konferencë për medie, me ç’rast nënkoloneli Jeton Rexhepi, drejtor i Divizionit të Komunikacionit Rrugor në PK, prezantoi raportin dhe statistikat analitike mbi gjendjen në trafikun rrugor, raporton Ekonomia Online.
Siç ka bërë të ditur ai, në tre mujorin e këtij viti janë shënuar 4 mijë e 248 aksidente, prej të cilave 18 ishin aksidente fatale, ku vdiqën 23 persona.
Siç ka bërë të ditur ai, policia ka ndërmarrë shumë aktivitete që kanë të bëjnë me kontrollin e shpejtësisë, duke shtuar kështu patrullimet në teren.
“Në periudhën janar- mars 2023 janë 4248 aksidente në total, prej tyre janë 18% ose 4 raste më pak aksidente fatale se sa vitin e kaluar’.
“Numri i përgjithshëm i aksidenteve është në rënie për 280 raste apo 6.18%, kurse numri i aksidenteve me lëndime është në rritje për 1.01% apo 16 raste më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, tha ai.
Tutje, Rexhepi ka treguar se ky numër ka shënuar rënie edhe në krahasim me vitet paraprake.
“Edhe në vitin paraprak numri i aksidenteve ka shënuar rënie në krahasim me vitin 2021. Ndër vite Kosova ka pasur një renië të aksidenteve, nga viti 2019 ka shënuar rënie. Për ne çdo rast është dhimbje, çdo rast mundohemi ta menaxhojmë më rregullat e policisë”, tha Rexhepi.
Ndërsa, ai tha se PK po punon në përmirësimin e trafikut rrugor, parandalimin e aksidenteve dhe senzibilizimin.
“Policia e Kosovës për këtë periudhë kohore të këtij viti ka marrë shumë plane. Ka qenë një bashkëpunim i ngushtë me të gjitha nivelet qoftë qendror apo lokal, si dhe një bashkëpunim i ngushtë ka qenë me mediat”.
“Policia e Kosovës duke parë të gjitha objektivat dhe kërkesat për përmirësim te trafikut rrugor në bashkëpunim me të gjitha drejtoritë dhe qytetarë jemi duke punuar në parandalimin e aksidenteve dhe senzibilizimin. Pothuajse të gjitha aktivitetet e planifkuara është duke i kryer me kohë, njëjtë me të gjitha vendet tjera”.
Rexhepi tha se janë shqyrtuar edhe adresimet e qytetarëve, të cilat kryesisht kanë qenë për mungesën e sinjalizimit dhe nënkalimeve/mbikalimeve.
“Adresimet të cilat kanë qenë, kanë qenë të shumta, mungesa e sinajlizimit qoftë vertikal ose horizontal, shembja nga vërshimet. Mungesa e mbikalimeve ose nënkalime, është kërkuar që në Veternik të ketë një nënkalim ose mbikalim që të ndihmonte këmbësorin në kalimin e rrugës”.
E zëdhënësi i PK-së, Baki Kelani, tha se përkundër faktit se aktivitetet kanë rezultuar pozitivisht, nuk janë ende të kënaqur e vazhdimisht punojnë për t’i vetëdijësuar qytetarët.
Ai gjithashtu përmendi edhe konkursin për kadetët e rinj të akademisë policore, të cilës do t’i shtohen 450 kadetë të rinj.
“Fatmirësisht aktivitetet e policisë, fushatat e ndryshme tregojnë një rezultat, mirëpo ne nuk jemi të kënaqur. Vazhdimisht tentojmë që ta ngrisim vetëdijën”.
“Dje e kemi bërë listën publike, sa i përket konkursit për kadetë që synojnë të shkojnë në akademi. 370 kandidatë të cilët kanë qenë në listë të pritjes për gjeneratën e 57-të, tash janë në pritje që të bëhen gjenerata e 58-të me radhë. Pritet që 450 kadetë të fillojnë më 12 prill”.
“Në bazë të vlerësimeve dhe nevojave policore, pritet që Policia të hapë prapë konkurs për të cilin do të njoftoheni me kohë”.
‘Nga nesër, me datë 6 dhe 7, pritet që nga lista të cilën e kemi publikuar dje të vijnë policët ta nënshkruajnë kontratën, të cilën edhe ju si media mund ta shihni nga afër”, tha Kelani.