Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka shqyrtuar kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale (FKPK) për Miratimin e Taksave Vjetore për vitin 2023, raporton Ekonomia Online.
Armend Muja, kryesuesi i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, tha se buxheti i Fondit për aktivizimin operacional për vitin 2023 është me i vogël se sa buxheti i vitit 2022.
“Bordi drejtues i FKPK-së ka miratuar buxhetin e fondit për aktivizimin operacional për vitin 2022 në shumë prej 1 milion e 290 mijë e 395 euro apo 31 mijë e 132 euro më i ulët se sa buxheti i vitit 2022, për këtë arsye ju kemi ftuar që ta justifikoni”, tha ai.
Ruzhdi Morina, kryesues i Bordit Drejtues të FKPK-së tha se në vitin 2023 nën menaxhim pritet të jenë mbi 2.5 miliardë euro.
Ndërsa sipas tij, taksat e ngarkuara mbi mjete pensionale në vitin 2023 do të jenë në nivelin më të ulët që nga themelimi i këtij institucioni.
“Pritjet gjatë vitit 2023 janë që mjetet mesatare nën menaxhim gjatë vitit pritet të jenë rreth 2 miliardë e 571 milionë euro që rezultojnë nga vlerësimet si në vijim, presim që të arkëtojmë 2 miliardë e 424 milionë euro mjete në menaxhim, kontribute presim që të arkëtojmë 230 milionë euro si dhe pagesat e pensioneve presim që të jenë 65 milionë euro”.
“Vitin presim që ta përfundojmë më 2 miliardë e 719 milionë euro në mjete në menaxhim. Taksa operacionale për vitin 2023 e propozuar me normë 0.05 për qind e mjeteve është me ulje nga norma aktuale sa ishte 0.057 për qind, bazuar në këtë kuvendit i rekomandoj që të aprovoj taksen investuese vjetore prej 0.032 për qind të mjeteve dhe taksen operacionale vjetore prej 0.05 për qind të mjeteve”.
“Sipas këtij rekomandimi taksat e ngarkuara mbi mjete pensionale do të uleshin prej 0.377 për qind sa janë aktualisht në 0.37 për qind e mjeteve pra nivelin më të ulët që nga themelimi i këtij institucioni”, tha ai.