Ushtarët e parë të Forcave të Armatosura ruse kanë mbërritur në Bjellorusi, në kuadër të një stërvitjeje ushtarake të koordinuar mes Minskut dhe Moskës, e cila do të zhvillohet për disa ditë me radhë.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministria bjelloruse e Mbrojtjes, e cila ka publikuar një video me mbërritjen e ushtarëve të parë rusë në Bjellorusi.
Nga ana tjetër, presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, i ka vënë Kremlinit në dispozicion 70 mijë ushtarë, të cilët do t’i bashkohen në mënyrë faktike mobilizimit rus, por do të operojnë në pjesën perëndimore të vendit, pranë kufirit me Poloninë.
Shkak për këtë lëvizje është bërë frika ndaj një zhvendosjeje të armëve bërthamore të Perëndimit në Poloni, duke rrezikuar kështu integritetin territorial të Bjellorusisë dhe Rusisë, sipas pretendimeve.
Vetë aleatët e NATO-s, nuk kanë folur asnjëherë mbi një detaj të tillë, por sërish, Moska dhe Minsku, janë në frikë.
“Është alarmuese për ne sigurisht”, tha lideri bjellorus gjatë një interviste televizive, duke shtuar se këtë akt të dy vendeve, e sheh si një përgjigje “kundërterroriste”.
Përtej stërvitjes, nuk duhet nëse pjesë nga ushtarët rusë do të vendosen po ashtu krah 70 mijë bjellorusëve.
Por, paraprakisht, Lukashenko ka bërë me dije se nuk lind një nevojë e tillë momentalisht dhe se homologu i tij në Moskë, Vladimir Putin, nuk ka pse të dërgojë forca të armatosura në kufirin mes Bjellorusisë dhe Polonisë.
Nga ana tjetër, prej mediave të Moskës, është bërë me dije se rreth 15 mijë ushtarë, janë të gatshëm të shkojnë atje.
Prej kohësh, Minsku është i vetmi aleat që i ka mbetur Moskës në Evropë dhe një mbështetje si ushtarake, ashtu edhe diplomatike e ekonomike për luftën në Ukrainë.