Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) sot ia ka dhënë lejen për operim në veri të vendit kompanisë “Elektrosever”.
Në mbledhjen e botit të ZRRE-së është vendosur që operimi i kësaj kompanie vlen për Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin Potokun për një periudhë pesëvjeçare, shkruan Demokracia.com.
Licencimi i “Elektroseverin”, u bë me pesë vota për dhe asnjë kundër.
Ymer Fejzullahu, kryesues i Bordit të ZRRE-së bëri të ditur se katër komunat në veri të Kosovë, Zveçani, Leposaviqi.
“Dua t’ precizoj katër komunat në veri të Kosovës, siç janë Mitrovica Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potoku, territori që mbulon kjo kompani janë këto katër komuna. Kjo licencë ka të bëjë me furnizimin e konsumatorëve me çmime të parregulluara. Këto katër komuna do të furnizohen me atë që ofron ky furnizues. Tarifat e rrjetit të transmisionit, tarifat e furnizuesit me shërbim universal, etj., do të jenë obligative dhe do të implementohen në gjithë territorin e Kosovës. Këto komuna kanë të drejtë të furnizohen me çmime të parregulluara nga furnizuesi Elektrosever”, ka thënë ai.
Kosova u pajtua paraprakisht që t’i japë kompanisë së shtetit serb, “Elektrosever” leje për të operuar në veri të vendit. Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai serb, Petar Petkoviq e nënshkruan të martën dokumentin e implementimit të marrëveshjeve të viteve 2013 dhe 2015 për energjinë, kur në krye të shtetit ishin Hashim Thaçi e Isa Mustafa.
Sipas udhërrëfyesit për të cilin Kosova dhe Serbia u dakorduan në Bruksel, kjo kompani parashihet ta nënshkruajë një marrëveshje tregtare me KEDS-in, përmes së cilës do t’i mundësohet t’i kryejë shërbimet e distribuimit (faturimin, inkasimin, mirëmbajtjen dhe kyçjen e konsumatorëve të rinj) në katër komunat me shumicë serbe në veri. Kjo, parashihet të ndodhë 10 ditë pas licencimit.
“Drustvo Elektrosever D.O.O.” është përgatitur për këtë që nga dhjetori i vitit 2020. Atëherë, kjo kompani kishte aplikuar për leje në ZRRE.
Kjo kompani është e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë që në nëntor të vitit 2018. Pronare e saj rezulton të jetë shteti serb.
Sipas të dhënave në ARBK, kompania publike serbe për prodhimin, furnizimin dhe tregtimin e energjisë elektrike – “JP Elektroprivreda Srbije Beograd”, posedon 100% të aksioneve të “Drustvo Elektrosever D.O.O.”
Boban Novakoviq është i regjistruar si drejtor i kësaj kompanie, që si aktivitet primar e ka tregtinë e energjisë elektrike.
Ashtu siç paralajmëroi para një jave zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, edhe marrëveshja parasheh se nuk do të ketë licencim të asnjë kompanie tjetër për operim në veri të vendit, përveç “Drustvo Elektrosever D.O.O.”