Partia Social Demokrate e Malit të Zi, në krye me Millo Gjukanoviq, ka njoftuar se do të nisë sot votëbesimin kundër Qeverisë Abazoviq.
Një gjë e tillë e ka njoftuar vetë partia e Gjukanoviqit me anë të një postimi në ‘Twitter’, duke thënë se kreu i ekzekutivit malazez shkeli interesat nacionale të shtetit, shkruan lajmi.net.
“Sipas një njoftimi të mëparshëm, #DPSCG do të nisë sot një iniciativë për votim mosbesimi ndaj Qeverisë së Malit të Zi. Nisma është e hapur për të gjithë ata që gjithashtu besojnë se qeveria është e papërgjegjshme ndaj interesave kombëtare të Malit të Zi”, shkruhet në ‘Twitter’.
“Marrëveshja e nënshkruar sot, e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi, do të pezullohet menjëherë pas zgjedhjes së Qeverisë së re”, vijon më tej postimi i partisë së Gjukanoviqit.
Ky vendim vjen pasi që qeveria aktuale në krye me Abazoviqin nënshkroi Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
Marrëveshja Themelore për marrëdhëniet ndërmjet shtetit të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe përmban kryesisht obligimet e shtetit dhe institucioneve ndaj kësaj bashkësie fetare.
Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi i mundësohet eksterritorialiteti i objekteve fetare, hapet mundësia mësimit fetar në shkollat publike, i njihet subjektiviteti për gjashtë shekuj më i gjatë se sa që Kisha Ortodokse Serbe ka në Serbi, i jep asaj kompetenca publike-juridike dhe në disa fusha ia mundëson statusin ligjor të barabartë me institucionet shtetërore.