Spanja hyn si favorite absolute në ndeshjen e sotme të 1/8-tës së finales kundër Marokut, por Botërori në Katar na ka dëshmuar se befasitë janë të pashmangshme.
Spanjollët, të cilët mposhtën Kostarikën 7-0 në ndeshjen e tyre hapëse, përfunduan të dytët në Grupin E pas humbjes shokuese nga Japonia, 2:1.
Maroku, ndërkohë, pati paraqitje shumë të mira në Grupit F, duke bërë që Belgjika si favorite e grupit të kthehej para kohe në shtëpi. Ata janë skuadra e vetme arabe që ka mbetur në garë dhe do të gëzojnë mbështetje të konsiderueshme në stadiumin “Education City” në Al Rayyan.
Qasja e trajnerit Walid Regragui deri më tani është fokusuar në mbrojtjen të ngjeshur dhe shfrytëzimin e mundësive për të ndëshkuar kundërshtarët në kundërsulm.
Në qendër të strategjisë së skuadrës së tij është Hakim Ziyech, i cili u rikthye në ekipin kombëtar kur Regragui mori drejtimin nga Vahid Halilhoxhiq në gusht. Një mosmarrëveshje e mëparshme midis Ziyech dhe Halilhodžić kishte bërë që anësori i spikatur të largohej nga kombëtarja.
Kreativiteti i tij i siguron Marokut të jetë kërcënues në sulm, por deri më tash ka qenë loja shumë e mirë në mbrojtje që ka tërhequr vëmendjen e opinionit.
Goli që ata pësuan ndaj Kanadasë në fitoren 2-1 në takimin e tyre të fundit në Grupin F, ishte i pari nën udhëheqjen e Regraguit prej gjashtë ndeshjesh.
Portieri i Marokut, Yassine Bounou, tha se skuadra tashmë kishte “bërë histori” duke arritur në 16-shen e fundit, por tha se dëshiron të arrijë “më shumë” akoma.
“Spanja do të na detyrojë të jemi në nivelin tonë më të mirë. Por ne jemi plotësisht të përgatitur. Jemi bërë gjithnjë e më të mirë pas çdo ndeshje pasuese dhe jam i sigurt se do të jemi në formë të mirë. Ne duam t’i bëjmë njerëzit tanë të lumtur”, tha Bounou.
Në anën tjetër, Spanja nuk do t’i shmanget filozofisë së lojës së saj ‘tiki-taka’, por pa dyshim duhet të përmirësojë shumë gjëra nga ndeshja e fundit, kur humbi ndaj Japonisë.
Mesfushori i kthyer në qendërmbrojtës Rodri tha se skuadra e tij nuk do të ndryshojë qasjen e ‘tiki-taka’-s për shkak të humbjes nga “Samurai Blue”, porse nuk do të lejojë të përsëriten gabimet.
“Ne kemi mësuar nga gabimet tona dhe do të përpiqemi t’i shmangim, por nuk do të ndryshojmë stilin tonë të futbollit për ato gabime… nuk është mirë të ndryshojmë filozofinë tonë të futbollit. Ne do të qëndrojmë në ‘tiki-taka’”, tha Rodri.
Ai gjithashtu premtoi se nuk do ta marrin si të lehtë sfidën me Marokun.
“Ata janë një nga ekipet më të mira në Afrikë. Pra, mendoj se ata janë një ekip shumë, shumë i fortë. Ju mund të shihni emrat që kanë në ekip. Janë lojtarë që kanë cilësi. Mendoj se do të jetë shumë, shumë e vështirë”, shtoi Rodri.
Ndeshja e sotme do të jetë e përballja e dytë e Spanjës dhe Marokut në një Kampionat botëror.
Takimi i tyre i mëparshëm ndodhi në vitin 2018, kur skuadrat barazuan 2:2 gjatë një përballje në fazën e grupeve.
Ndeshja Spanja – Maroku fillon në orën 16:00 dhe transmetohet drejtpërdrejt në RTK 1.
Fituesi i kësaj ndeshje në çerekfinale do të ballafaqohet me fituesin e ndeshjes Portugali-Zvicër.