Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe një nga politikanët më potent në dekadën e fundit, Lutfi Haziri, ka thënë se plani franko-gjerman ka sjellur një moment të ri në politikë, por Qeveria e Kosovës në vend se ta shfrytëzonte ka zgjedhur “kulturën hezituese të mosveprimit”.
Haziri pohon se derisa në raport me ndërkombëtarët heziton, Kurti në politikën e brendshme merret me propagandë.
“Plani franko-gjerman është njëri nga opsionet që këtij procesi po i jep momentum të ri dhe ky momentum duhet të shfrytëzohet nga Qeveria”, pohon Haziri për Albanian Post.
Haziri megjithatë, ka deklaruar se “besojmë shumë që do të arrijnë ta shterrin agjendën”.
Por, çfarëdo rruge që merr qeveria e Kosovës, sipas ish-kryetarit të LDK-së, një gjë duhet të bëhet e qartë, “ta fitojnë njohjen nga Serbia që është qëllimi kryesor”.
“Pra njohjen nga Serbia e jo nga ndonjëri prej pesë shteteve anëtare të BE-së, e cila e lehtëson edhe rrugën për NATO por edhe institucionet e larta sikur OKB dhe institucione të tjera regjionale në të cilat Kosova ka interes të integrohet sa më shpejtë”.
Por, shpresa që Haziri ka, thotë se godite nga angazhimi i përçudnuar politik i Kurtit në politikë.
“Është politika e ‘një hapi para-dy prapa’”, pohon Haziri, duke zënë shkas edhe tek vendimi i fundit i Kurtit për të shkallëzuar atë të mëhershmin që të konfiskojë makinat me targa ilegale.
Vepirmi i vonuar i qeverisë dhe jo ashtu sic e kërkuan ndërkombëtarët, është i pamatur dhe problematik për Hazirin.
“Edhe kësaj here sikur gjithmonë në politikë, angazhimi i Kurtit në politikbërje në raport me partnerët tanë ndërkombëtarë nuk ka ndryshuar asgjë, ka humbur konsistencën”.
Sipas Hazirit, Kurti premton, “e mandej ndryshon qëndrimin politik duke u munduar që me një gur t’i vras dy zogj, siç ndodhi së fundmi në raport me hyrjen në fuqi të vendimit për targat e automjeteve”.
“Ka shkaktuar pritje të mëdha, dhe në fund, përkundër një vendimi që gjatë gjithë verës deri më 31 tetor ka qenë në ofertë të komunitetit për të ri integruar, ndërhyja e partnerëve për ta shtyrë vendimin për 10 muaj, shkaktoi prapë një vendim i cili u duk se do bëj një hap para, por bëri dy hapa prapa”.
Po, cili është qëndrimi i LDK-së?
Për LDK-në, Haziri thotë se gjithçka është e qartë. Duhet të reagohet dhe reagohet shpejt.
“Qëndrimi i LDK-së sa i përket dialogut dhe për dialogun është se nuk ka rrugë dhe opsion tjetër për dialogun me Serbinë, përveç të shtirret agjenda sa më shpejtë, dhe të gjitha çështjet që mund të negociohen mbi parimet e vendosura, duhet të bëhen tani”.
Ai thotë se “duhet të përmbyllet ky proces me një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe kryeministri duhet të sigurohet që të mos dal jashtë mandatit kushtetues të Republikës së Kosovës”.
Por, si të bëhet kjo, nëse oferta s’përfshinë njohjen në fazën fillestare, siç është propozuar në planin franko-gjerman të cilin e ka publikuar Albanian Post me 18 shtator.
“Nuk është e lehtë, por ky hezitim që kemi parë që nga fillimi tek Qeveria po përcjellët dhe është bërë kulturë e kësaj qeverie, e në anën tjetër kemi propagandë politike për konsum të brendshëm”, pohon Haziri.
“Po punohet në dy binarë. Binari i parë me partnerët ndërkombëtarë që po përcjellët me hezitim, pavendosmëri e pasiguri në shterjen e agjendës deri në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ndërsa sa i përket çështjeve të brendshme po e përcjell marketingu, propaganda dhe ‘shitja’ e proceseve si të suksesshme tek qytetarët e Kosovës, si vendime të vështira por të guximshme të kryeministrit Kurti që nuk po arrin t’i përfundojë kurrë”.
Në momentumin e ri, për të cilin flet Haziri, është përfshirë edhe opozitë në Kosovë.
Në vizitën e fundit në Kosovë, zëvendës-ndihmës sekretari amerikan dhe i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka takuar edhe liderët opozitarë.
Madje, ata i ftoi më pas edhe Kurti në takim, por Lumir Abdixhiku i LDK-së e Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës, e refuzuan ftesën.