Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall si çdo javë, edhe këtë javë kanë ndarë çmimin për “Yllin e Javës”.
Ky çmim për javën e 33-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të FC Ballkani, Lumbardh Dellova.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Enes Shosholli, Avni Shala dhe Bujar Guta.
Pasi mori këtë çmim mbrojtësi i FC Ballkani u shpreh i lumtur që u vlerësua kontributi i tij në këtë ndeshje tejet të rëndësishme, derisa beson se skuadra e tij edhe në tri ndeshjet e mbetura do të arrijë fitore dhe në fund do ta mbrojë titullin e kampionit.
” Kjo është hera e parë që shpallem ‘Ylli i Javës’ dhe është një kënaqësi e madhe sidomos për faktin që unë vij nga reparti i mbrojtjes dhe kam arritur që të jem më i miri në xhiron e 33-të në Albi Mall Superliga. Fitorja e djeshme ndaj Dritës është shumë e rëndësishme për ne, ngase tani jemi barazuar me pikë me Dritën dhe tri ndeshjet e radhes do të jenë tri finale për ne. Falënderoj shumë bashkelojtarët dhe stafin teknik për mbështetjen qe na japin dhe punën që e bëjmë bashkërisht.Besoj që Ballkani do të arrijë që ta mbrojë titullin kampion dhe më pas na pret një punë e madhe në ndeshjet e Evropës për ta ripërsëritur suksesin e vitit të kaluar”, tha Lumbardh Dellova për faqen zyrtare të FFK-së.