Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të kenë një takim të nivelit të lartë politik në Bruksel më 27 shkurt.
Në fokus të takimit do të jetë propozimi franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Albin Kurti tha në fillim të këtij muaji se Kosova e pranon planin evropian.
Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë ende nuk ka deklaruar nëse e pranon propozimin apo jo zyrtarisht. Mirëpo, sipas deklaratave të tij, marrëveshja politike me Kosovën është e pamundur pa zbatimin e Marrëveshjes për Asociacion. Bashkësia ndërkombëtare nënvizon se formimi i Asociacionit është një obligim i pranuar herët, duke shtuar se propozimi evropian paraqet një hap përpara në normalizimin e marrëdhënieve, në të cilin synimi kryesor është përmirësimi i jetës së të gjithë qytetarëve në Kosovë.
Ministrja e Shtetit në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë, Anna Lührmann, tha se progresi drejt një normalizimi të qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është më urgjent se kurrë.
“Propozimi evropian, i cili bazohet në një iniciativë gjermano-franceze, është një mundësi unike si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën. Pranimi i propozimit do të përmirësonte rrënjësisht dhe në mënyrë të qëndrueshme marrëdhëniet midis vendeve”, tha ajo European Western Balkans.
Sipas saj propozimi mund të nxisë procesin e normalizimit në interes të qytetarëve të tyre. “Ai do të largonte pengesat në rrugën drejt integrimit të mëtejshëm në BE dhe zhvillimit ekonomik. Dhe sigurisht që do të ishte një nxitje politike dhe ekonomike për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili po frenohet nga kjo çështje e pazgjidhur. Të gjithë anëtarët e BE-së shpresojnë që Serbia dhe Kosova ta shfrytëzojnë këtë shans historik dhe unik. Evropa po e përqafon rajonin si kurrë më parë: krahët tanë janë të hapur, por ne kemi nevojë që të dyja palët të veprojnë në mënyrë konstruktive”, tha ajo.