Listës së re esenciale të barnave do t’i shtohen 60 lloje të barnave, ndërsa buxheti i ndarë për këtë listë gjatë vitit 2023 do të jetë 60 milionë euro, raporton Ekonomia Online.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në tryezën e diskutimit publik lidhur me listën e re të barnave esenciale.
Vitia ka thënë se lista e re e barnave esenciale është në përputhje me standardet e Organizatës Botërorë të Shëndetësisë (OBSH), teksa ka falënderuar Komitetin për punën e bërë.
“Kjo listë paraqet një listë të nevojave esenciale, efikase, të sigurta dhe efektive. Komiteti profesional është në përbërje të profesionistëve, të cilëve si Ministri ju falënderohemi për punën e bërë. Puna e komitetit ka qenë voluminoze”.
“Është shumë me rëndësi për ne që të ketë përfitime shtesë. Debati i sotëm, besoj se do të na sjellë komente edhe rekomandime, të cilat do të na ndihmojnë edhe më shumë”, ka thënë ai.
Nga 130 propozime të bëra, Komiteti ka pranuar 68 prej tyre, teksa kryesuesi Driton Vela, ka thënë se cak kanë pasur pikërisht zgjerimin e kësaj liste.
Siç ka treguar ai, Komiteti ka filluar punën në tetor të vitit të kaluar.
“Kemi arritur ta zgjerojmë listën e barnave esenciale. Kemi vendosur edhe standardin e ri të transparencës. Një prej caqeve kryesore të Komitetit ka qenë që ta zgjerojmë listën”.
“Kemi pranuar rreth 130 propozime të reja, 68 janë pranuar. Në përgjithësi përfshihen koncept dokumentet për sëmundjet e rënda. Produktet e reja përfshijnë të gjitha sëmundjet e gjitha organeve të trupit të njeriut”, ka thënë ai.