Charles Michel, president i Këshillit Evropian, i është drejtuar me një letër anëtarëve të KE-së në lidhje me takimet që ata do t’i zhvillojnë gjatë datave 23 dhe 24 qershor.
Michel, në letrën e tij, flet edhe për Ballkanin Perëndimor për të cilin thotë se është i rëndësishëm për Bashkimin Evropian dhe për këtë arsye duhet të riaktivizohet procesi i zgjerimit dhe integrimit, shkruan lajmi.net.
“Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për BE-në dhe BE-ja është e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor. Prandaj, ne duhet të riaktivizojmë procesin e zgjerimit dhe të çojmë përpara integrimin e partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor. Ne do t’i takojmë ata përpara Këshillit tonë zyrtar Evropian”, thuhet në letrën e Michel.
Tutje, ai shton se, paqja, siguria dhe prosperiteti janë vlera që BE i ndan me partnerët e tjerë evropian.
“Paqja, siguria dhe prosperiteti në një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla janë vlera që BE ndan me partnerët e tjerë evropianë. Ideja e një komuniteti politik evropian është paraqitur për të nxitur dialogun dhe bashkëpunimin politik. Ne do të përfshihemi në një diskutim strategjik se si të forcojmë marrëdhëniet tona për të adresuar çështjet me interes të përbashkët”, shtohet tutje nga Michel.
Po ashtu, presidenti i KE-së, njofton se me 23 qershor, do të zhvillohet një takim edhe me liderët e Ballkanit Perëndimor.
“Ne do të takohemi të enjten e 23 qershorit në orën 9:30 me liderët e Ballkanit Perëndimor. Më pas do të vazhdojmë me takimin tonë të Këshillit Evropian, i cili do të fillojë në orën 15:00 me shkëmbimin tradicional të mendimeve me Presidentin e Parlamentit Evropian”, vijohet në letrën e Michel.
Përndryshe, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, është një çështje që është diskutuar shumë kohëve të fundit, duke u dhënë si një mundësi që liberalizimi të ndodh në këto dy data, pra 23 dhe 24 qershor.
Rreth kësaj, kjo çështje pritet që të shtrohet për diskutim edhe në mbledhjen e Këshillit Evropian, kur si pikë në rend dite është të diskutohet edhe ngjarje që kanë të bëjnë me politikën e jashtme.