Rastet kur persona të ndryshëm kërkojnë ndihmë në spital për shkak të lëndimeve që pësojnë në vendet e tyre të punës nuk janë të rralla. Ato shpesh herë ndodhin si pasojë e kushteve të këqija që ofrojnë kompanitë, por me raste janë edhe aksidentale, raporton Gazeta Sinjali.
Ndihmë në spital ka kërkuar edhe dje një punëtor i një kompanie private për prodhimin e mobileve në fshatin Lubizhdë të Prizrenit.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Spitalit Rajonal në Prizren kanë bërë me dije se 21-vjeçari është dërguar atje në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të lëndimeve që kishte marrë në këmbë gjatë punës në mobilieri.
Pas intervenimit dhe ekzaminimeve të stafit mjekësor është konstatuar se viktima ka pësuar frakturë në këmbë dhe gjendja e tij shëndetësore është stabile.
Ndërkohë lidhur për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët bashkë me Inspektoratin e Punës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Dyshohet se gjithçka ka ndodhur aksidentalisht dhe me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Lëndim i rëndë trupor’.