Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, qëndrimin e kryeministrit Albin Kurtit karshi kërkesave ndërkombëtare po e sheh si “kokëfortësi” dhe “inat politik”.
“Mendoj që është një menaxhim i keq i zotit Kurti. Ai është larguar larg nga ata që ne i kemi quajtur miq ndërkombëtarë dhe me të cilët, së bashku, i kemi ndërtuar institucionet, por edhe së bashku e kemi bërë edhe luftën”, ka deklaruar ai për REL.
“Nga kjo, ne po shohim që Kosova është kthyer në një pikë kritike, e sidomos veriu i Kosovës. E gjithë kjo na largon nga dialogu dhe marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë Lekaj.
Në takimin e 21 nëntorit, Kurti tha se propozimi i Borrellit, si ndërmjetësues i bisedimeve, që Kosova të shtyjë shqiptimin e gjobave për shoferët që vozisin makina me targa serbe, “është i papranueshëm” nëse nuk shoqërohet me angazhimin për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.