Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, nënkryetari i komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, dhe Drejtori Financave në Komunën e Pejës, Jeton Abazaj, kanë dalë në një konferencë për media, duke akuzuar Qeverinë se ua ka rritur qytetarëve koston e jetesës.
Ata e kanë kundërshtuar propozimin e djeshëm të ministrit të Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati që tatimpaguesve t’iu falen deri 100 euro nga vlera e tatimit në pronë për këtë vit, shkrun lajmi.net.
Me anë të një komunikate për media, në të cilën ata përmblodhën pikat kryesore të konferencës, ata potencuan se zgjidhjet që i ofron pushteti për problemet që ata vet i kanë krijuar, “janë amatoreske dhe qesharake”.
Po ashtu LDK-ja e ka quajtur qeverinë aktuale të paaftë, e cila sipas tyre në këtë kohë inflaconi nuk kurseu edhe rritjen e çmimit të tatimit në pronë.
Në konferencën e mbajtur sot, LDK-ja paraqiti edhe një propozim.
Sipas tyre kjo rritje është rezultat i drejtpërdrejtë i rritjes së vlerësimit të pronave nga Ministria e Financave.
Madje shtuan se Kosova aktualisht është duke përjetuar një krizë ekonomike kur qytetarëve u janë rritur çmimet, përderisa sipas tyre nuk ka rritje të pagave, nuk ka rritje të pensioneve, nuk ka rritje të të hyrave.
“Rritja e bazës tatimore është papërgjegjësi dhe arrogance e pushtetit që tashmë veçse është larguar nga qytetari”, shtuan ata.
Ata lëshuan një varg akuzash ndaj Hekuran Muratit, duke e cilësuar si ministër i cili nuk di si funksionon ekonomia dhe ligjet.
“Ai nuk e di si funksionon ekonomia. Ministri nuk i di ligjet e këtij vendi.Nuk e diqë kuvendet komunale nuk mund të falin borxhe ose tatime. Kuvendet komunale nuk kanë të drejtë të falin borxhe sepse tatimi në pronë është obligim që rrjedh nga Ligji Nr. 06/L-005 për Tatimit në Pronë, i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës dhe vetëm Kuvendi ka mundësi që ta ndryshoj ose eventualisht të falë obligimet që dalin nga ky Ligj”, thane nga LDK.
“Problemi është se kjo Ministri vlerësimin e fundit të pronave e ka bërë në kushte të një inflacioni enorm dhe se nuk janë marrë parasysh rrethanat socio-ekonomike në vend”, thuhet tutje.
Lidhja Demokratike e Kosovës me qëllim që të adresohet çështja e faturave të tatimit në pronë kishte tri kërkesa.
Ministria e Financave të pezullojë rivlerësimin e pronave dhe faturat për vitin 2023 të llogariten sipas vlerësimeve të mëparshme.
Ministria e Financave të procedojë në Kuvend Ligjin e ri për Tatim në Pronë për të bërë përshtatjet që reflektojnë situatën e rëndë nga inflacioni.
Ministria e Financave, në bashkëpunim me komunat, gjatë vitit 2023 të bëjë ri-vlerësimin e pronave pas përcaktimit të zonave që marrin parasysh zhvillimin e vendbanimeve dhe ngastrave kadastrale (kjo për shkak se gjatë ri-vlerësimit të pronave janë përdorur zonat e vjetra pasi ka dështuar sistemi i Departamentit të Tatimit në Pronë).
“Qeveria të ndalë logjikën e varfërimit të qytetarëve, vetëm për të ofruar pastaj pako të mbijetesës. Dinjiteti i familjeve punëtore të Kosovës është duke u nëpërkëmbur. Ndaj, duhet të merren parasysh kërkesat e LDK-së që pushteti të mos shkatërrojë buxhetin e familjeve në Kosovë”, përfunduan ata.