Lidhja Demokratike e Kosovës, ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën e saj për të kundërshtuar projektligjin i cili është miratuar para disa ditës nga ana e Kuvendit për masat e përkohshme të produkteve themelore.
Deputeti i kësaj partie, Driton Selmanaj, para gazetarëve, deklaroi se, vlerësimi i tyre është që, ky dokument, në tërësinë e tij është antikushtetues, shkruan lajmi.net.
Ai ka deklaruar edhe se kjo iniciativë paraqet një ndërhyrje në vlerat dhe parimet e ekonomisë së lirë të tregut.
Më tej, ai ka thënë se si LDK, kanë vlerësuar që ky projektligj duhet të anulohet dhe se ka kërkuar nga presidentja e vendit që të mos e nënshkruajë.
“Ne sapo proceduam në emër të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kërkesën tonë për të kundërshtuar projektligjin i cili është miratuar para disa ditësh nga ana e Kuvendit të Kosovës për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste veçante të destabilizimit të tregut. Vlerësimi ynë është që në tërësinë e vet, ky dokument është antikushtetuese. Jemi të bindur se kjo iniciativë paraqet një ndërhyrje arbitrare në parimet dhe vlerat e ekonomisë së lirë të tregut. Ne e kemi adresu tri nene të kushtetutës të cilët vlerësojnë që kjo nismë legjislative e cenon rëndë Kushtetutën e Kosovës. Ne kemi vlerësuar si LDK, që ky projektligj duhet në tërësinë e vet të anulohet. E lusim edhe presidenten që ajo të mos e nënshkruaj”, ka thënë ndër tjerash Selmanaj.