Laurit Krasniqi është futbollisti i radhës që ka vendosur t’i bashkohet Kosovës. Kështu ka njoftuar Federata e Futbollit e Kosovës këtë të premte.
21-vjeçari është pjesë e skuadrës belge, Royal Antwerp. Ai u paraqit të enjten mbrëma kundër Dritës në “Fadil Vokrri” dhe shënoi golin e parë në fitoren 0:2 të skuadrës së tij, shkruan Gazeta Express.
Për Krasniqin ishte kjo paraqitja e parë në stadiumin “Fadil Vokrri”, por tani e tutje ai pritet t’i regjistrojë edhe shumë të tjera.
Në njoftimin e lëshuar nga faqja zyrtare e FFK-së, lojtari thuhet se është shprehur i lumtur që po i jepet mundësia të japë kontributin e tij për vendin e origjinës dhe se do të bëjë çmos që të vazhdojë të luajë në nivele sa më të larta dhe t’i bëjë krenarë familjen e tij dhe të gjithë tifozët e Kombëtares së Kosovës.