Profesori universitar, Blerim Latifi, njëherësh edhe njohës i rrethanave politike, e ka quajtur si skemë të pastër manipulimi dhe veprim karrierist vizitën e ndërmjetësuesit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pjesëmarrjen në ekspozitën për fëmijët e vrarë në luftë.
Latifi këtë e ka thënë me anë të një postimi në ‘Facebook’, duke përkujtuar se mandati i tij përfundon në fund të qershorit të këtij viti. Kësisoj, njohësi i rrethanave politike e ka parë vizitën e tij në ekspozitë si “fushatë” për vazhdimin e mandatit të Lajçak.
“Lajçakut i përfundon mandati me 31 gusht 2022. Si një burokrat i mësuar me poste që nga koha e Partisë Komuniste të Çekosllovakisë, sigurisht se ai dëshiron që t’i jepet edhe një mandat tjetër si ndërmjetësues në dialogun Kosovë- Serbi. Prandaj do bëj çmos ta nxjerr edhe një marrëveshje teknike në këtë dialog, për t’i bindur shefat në Bruksel mbi sukseset e punës së tij”, ka shkruar profesori Latifi.
“Vizita e tij në ekspozitën e emrave të mijëra fëmijëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës nga shteti serb bëhet në funksion të qëllimeve të tij karrieriste, e jo për ndonjë arsye që lidhet me drejtësinë për viktimat”, ka thënë më tej ai.
“Është skemë e pastër manipulimi: të dukem si dikush që ndjen dhimbje për vuajtjen e shqiptarëve dhe ata me zemërgjerësinë e tyre do më dhurojnë mua një marrëveshje tjetër teknike me Beogradin. Kuadër i formuar në shkollën sovjetike të manipulimit”, përfundon postimi i tij.