I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar se në takimin e sotëm me kryeministrin Albin Kurti ka diskutuar për hapat e mëtejmë pas takimit në Bruksel.
Duke folur për qëndrimin e Bashkimit Evropian mbi modelin kroat të pakicave, Lajçak ka thënë se BE-ja pranon atë që është në pajtim me vlerat evropiane.
“Për BE-në e pranueshme është ajo që është e bazuar në normat dhe vlerat e BE-së, dhe që është në pajtim me modelet ekzistuese evropiane”, ka deklaruar ai para mediave pas takimit me kryeministrin Albin Kurti.
Ai po ashtu para gazetarëve tha se gjatë ditës do të ketë vizitë edhe në veri të Kosovës për të kuptuar situatën atje.
“Kam ardhur në Prishtinë sot për të diskutuar me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi për rrugën përpara në procesin e normalizimit, pas takimit të 2 majit. Është vërtetë e rëndësishme që të kemi një kuptim të qartë për hapat e ardhshëm. Të njëjtin diskutim do ta bëjë nesër në Beograd. Unë do të takoj kryenegociatorët, zotëri Bislimin dhe Petkoviqin të hënën në Bruksel”, ka thënë Lajçak.
Ai është shprehur se duhet fokusuar te normalizimi.
“Ne mund të kemi vetëm normalizim apo konfrontim. Dhe ne duhet patjetër të fokusohemi plotësisht te normalizimi”, ka shtuar Lajçak.