I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në një intervistë për Radio Televizioni Serb, RTS, i cili pritet të transmetohet me fillim në orën 18:25, ka thënë se pa formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, nuk ka marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.
Diplomati sllovak, siç raporton RTS, ka përsëritur disa here se duhet të formohet Asociacioni dhe se sipas tij qëllimi i marrëveshje nuk është që dikush të fitojë apo të humbasë, por përkundrazi qëllimi është krijimi i një situate të favorshme dhe hapja e derës evropiane.
Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”. Po ashtu, u arrit një dakordim që të vazhdohet me diplomaci fluturuese të diplomatit sllovak në Prishtinë dhe Beograd.
Lajçak të enjten dhe të premten takoi kryeministrin Kurti për të shqyrtuar Aneks-dokumentin e zbatimit të Propozim-Marrëveshjes që në fund duhet të përbëjnë një dokument të njësuar. Dhe për të gjitha këto do të ketë nevojë për një takim të ri të liderëve, më 18 mars në Ohër.
Ai në një prononcim për media pas takimit me kryeministrin Kurti, tha se pati një takim konstruktiv dhe se pritshmëritë me të cilat kishte ardhur në Prishtinë tashmë janë përmbushur sepse siç tha ai, “që të bëhet dokument ligjërisht i detyrueshëm duhet pajtim për zbatimin e tij”.
“Qëllimi kryesor i vizitës është të shoh se si Kosova e sheh implementimin. Dhe ky takim ka përmbushur pritjet e mija në këtë kontekst”, deklaroi Lajçak, teksa shtoi se më pas se do të shkojë edhe në Beograd me të njëjtin mision me të cilin është ngarkuar.
Ndërkaq, në një komunikatë për media të Zyrës së Kryeministrit, thuhej se kreu i ekzekutivit kosovar, ka shprehur gatishmëri që ta nënshkruajnë marrëveshjen dhe ka dhënë garanci se Kosova do të jetë palë konstruktive, e përgjegjshme dhe e përkushtuar në parimet e demokracisë liberale dhe të vlerave të Bashkimit Evropian.
“Në këtë frymë, ai gjithashtu shprehu pritshmërinë e tij që Bashkimi Evropian të punojë në drejtim të përmbylljes së suksesshme të procesit të Marrëveshjes për Normalizim përmes nënshkrimit zyrtar të saj në takimin e radhës”, thuhej në komunikatën e ZKM-së.
Më vonë, në një intervistë për televizionin ATV, diplomati sllovak ka thënë se nuk pret një ceremoni nënshkrimi në Ohër, ku pritet të mbahet takimi mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, porse do të caktohen afatet pasi që palët të jenë pajtuar për dokumentin në tërësi.
Ndryshe, plani evropian parasheh mes tjerash përmbushjen e marrëveshjeve të deritashme, përfshirë edhe atë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe që është pjesa më problematike aktualisht në dialogun Kosovë – Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga ana tjetër, deklaruan se marrëveshja mbi udhërrëfyesin e zbatimit të planit evropian është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, ndërsa përparimi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, thelbësor për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës.
Në anën tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas takimit me të dërguarin e posaçëm të BE-së, deklaroi se biseda ishte e vështirë, përmbajtësore dhe se diskutimet do të vazhdojnë.
“Ne do të vazhdojmë sonte dhe nesër bisedën për Kosovën dhe të ardhmen evropiane të Serbisë. Rroftë Serbia”, ka shkruar Vuçiç në llogarinë e tij në Instagram, pas takimit i cili përfundoi pak pas orës 15:30.
Ndërkaq, në komunikatën për shtyp të lëshuar pas takimit nga Presidenca e Serbisë, thuhet se Serbia ishte e gatshme që me “përkushtim dhe përgjegjshmëri” t’i qaset dialogut me qëllim arritjen e kompromisit dhe zgjidhjeve të qëndrueshme.