Pas vizitës në Prishtinë, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, nis të hënën vizitën në Beograd.
Në Serbi sllovaku pritet të takohet me presidentin Aleksandar Vuçiq, në përpjekjet e fundit për t’i koordinuar hapat për takimin e radhës që mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut me 18 Mars.
Fokusi i bisedimeve pritet të jetë rruga drejt zbatimit të Marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, transmeton rtk.
Dy liderët, kryeministri kosovar Kurti dhe presidenti serb Vuçiq, në takimin e 27 shkurtit në Bruksel arritën një pajtim “preliminar” për planin e ashtuquajtur franko-gjerman.
E pas takimeve në Prishtinë me liderët shtetëror, presidenten Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe liderët opozitarë, emisari Lajçak u shpreh optimist se pala kosovare i thotë po dokumentit 11 nenesh të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga SHBA.
Ndërsa presidenti serb, Vuçiq ka thënë për mediet në Beograd, se Serbia nuk do të pajtohet e as nuk do të qëndrojë e heshtur lidhur me anëtarësimin eventual të Kosovës në Kombet e Bashkuara si dhe nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Nuk më shkon në mendje ta nënshkruaj kapitullimin e Serbisë”, ka thënë ai.
Ndërsa Lajçak në prag të vizitës në Serbi, shprehet optimist se palët do ta nënshkruajnë marrëveshjen.