I dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është duke qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.
Me këtë rast, Lajçak ka takuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe kryeministrin në largim të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
Në lidhje me takimet që pati në Amerikë, Lajçak njoftoi përmes rrjetit social Twitter.
Në takimin me Ramën dhe Vuçiqin ka diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi, ndërkaq në atë me Abazoviqin për gjendjen politike në Mal të Zi.
“Pata një takim shumë të dobishëm me Edi Ramën në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Ne diskutuam situatën në Ballkanin Perëndimor. Mirënjohës për njohuritë dhe mbështetjen e tij për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, shkruan Lajçak.
I dërguari i BE-së edhe në takimin me presidentin e Serbisë ka folur për dialogun.
“Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë javën e kaluar, unë po ashtu vazhdova bisedën me presidentin e Serbisë, Vuçiq në New York…Ne biseduam për mënyrën si ta çojmë para normalizimin e raporteve me Kosovën”, shkruan ai.
Ndërkaq, me kryeministrin në largim të Malit të Zi është diskutuar për situatën politike atje.
“Bisedova me Dritan Abazoviqin rreth situatës aktuale politike në Mal të Zi. Potencova se BE pret progres të dukshëm të Malit të Zi në reformat drejt BE-së”, shkruan Lajçak.