Mungesa e kuorumit në Kuvend është rikthyer sërish në normalitet. Dështimi i miratimit të projektligjeve dhe ndërprerja e seancave plenare në mungesë të deputetëve po i faturohen më shumë partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithatë, kjo e fundit premton përshpejtim të miratimit të agjendës legjislative.
Në sesionin pranveror janë miratuar vetëm 37 ligje ndërsa 69 të tjera janë në procedurë, duke bërë që progresi i përmbushjes së agjendës legjislative të jetë 34%. Nga këto ligje të miratuara, dhjetë prej tyre i përkasin sektorit të drejtësisë, pesë shëndetësisë, nga katër ndahen në sektorët tregti, financa dhe siguri, dy janë nga ekonomia ndërsa 8 kategorizohen tek të tjerat. Të gjitha ligjet e miratuara kanë qenë të sponsorizuara nga Qeveria.
Gjatë sesionit pranveror, nga muaji janar deri në gjysmën e qershorit, deputetët e Kuvendit të Kosovës janë ftuar në 24 seanca plenare, të jashtëzakonshme ose solemne. Në janar kanë nisur 4 seanca të reja, në shkurt 5, në mars 6, në prill 5, në maj 3 dhe në qershor vetëm një. Në të gjitha rastet e tjera kur janë mbledhur deputetët kanë qenë vazhdim të këtyre seancave.
Prej këtyre 24 seancave, 15 kanë qenë plenare, shtatë prej tyre kanë qenë të jashtëzakonshme si: Shënimi i 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, Debati parlamentar lidhur me pabarazinë gjinore të grave në shoqëri për 8 mars, pastaj debat parlamentari lidhur me rritjen e çmimeve, debati parlamentar lidhur me vendimin e ZRRE-së për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, debati parlamentar për gjendjen e pandemisë COVID-19, debati parlamentar lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe diskutim në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës.
Gjatë këtij sesioni deputetë janë mbledhur edhe në dy seanca solemne për nder të 14-vjetorit të Republikës dhe për të shënuar 23-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.
Në seancën e fundit plenare të së enjtes, opozita bllokoi punën e Kuvendit pas protestës së veteranëve duke kërkuar që Qeveria të dialogonte me përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së. Këta të fundit kundërshtuan miratimin në parim të Projektligjit që përcakton pagën minimale, që i eliminon ata nga rritja e pensioneve në nivel të pagës minimale. Megjithatë, edhe pas takimit mes ekzekutivit dhe veteranëve nuk ka pasur ndonjë dakordim duke paralajmëruar se do të ketë sërish protesta e bllokim të punës së Kuvendit
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj thotë për KosovaPress se mazhoranca nuk është në gjendje të miratojë iniciativa ligjore që nevojitet edhe shumica e thjeshtë e deputetëve.
Sipas tij, në këtë fazë, s’ka bashkëpunim mes kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca me partitë opozitare dhe as grupeve parlamentare ndërmjet veti.
“Kuvendi i Kosovës nuk është në gjendje të ndjek Qeverinë e Kosovës, duke i kaluar këto ligje, qoftë në lexim të parë ose miratuar në Kuvend. Prej monitorimit tonë, kemi pa se Kuvendi i Kosovës, ose partia në pushtet, edhe pse ka shumicën parlamentare nuk është në gjendje edhe për pika të rendit të ditës, ose iniciativa ligjore të cilat nevojitet një shumicë e thjeshtë nuk ka kuorum për t’i miratuar të njëjtat. Ne kemi parë se një numër i madh i rendit të ditës, tani jemi në muajin qershor, po barten seancë pas seancë pas seance… Në këtë fazë kemi një jo bashkëpunim të mirë, në radhë të parë mes kryetarit të Kuvendit me partitë opozitare, qoftë në komisione. Por, po e shohim se edhe deputetët e pozitës dhe opozitës nuk kanë ndonjë respekt të madh për funksionin që e kanë, duke mos marrë pjesë në seanca, apo dështuar një numër i madh i seancave në Kuvend për shkak të mungesës së kuorumit”, thotë ai.
Ndërsa, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rrexhepi, përgjegjësinë për dështimin e seancave plenare ia adreson më shumë Lëvizjes Vetëvendosje.
“Përgjegjësia shumë më e madhe krahasuar me neve i takon mazhorancës dhe Qeverisë Kurti II. Pasi ata i kanë 58 deputetë, i kanë minoritet dhe kanë vota të mjaftueshme të kalojnë shumë projektligje në Kuvendin e Kosovës. Unë mund të them se është Kuvendi më pak efikasdhe nuk ka funksionuar. Mundem t’i numëroj në gishta se sa projektligje kanë ardhur dhe janë votuar në Kuvendin e Kosovës”, thekson ajo.
Nga ana tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë për KosovaPress se pret një punë më dinamike të Kuvendit në javët në vijim.
Ajo arsyetohet edhe për mungesën e deputetëve të mazhorancës në seanca plenare, duke thënë se disa prej tyre kanë pasur udhëtime zyrtare jashtë vendit.
“Ne po mundohemi maksimalisht dhe unë po shpresoj që shumë shpejtë duke filluar prej javës së ardhshme do të hyjmë në trendin e një dinamike të përshpejtuar. Kemi nevojë shumë të zëmë hapin në veçanti për të mbyllur sesionin pranveror deri në javën e dytë të gushtit, kur Kuvendi është i hapur, prandaj edhe për brenda grupit parlamentar dhe në bashkëpunim me grupet e tjera parlamentare do të mundohemi të mos jemi preh e kushtëzimeve nga opozita ose mungesave nga pozita për përgjegjësitë tona si deputet”, deklaron ajo.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës shpesh janë kritikuar për mosefikasitet ndërsa pagat e tyre janë ndër më të lartat. Paga bazë e një deputeti në Kosovë është 1,547 euro në muaj ose 18,564 euro në vit. Kompensimi mujor për pjesëmarrje në seanca plenare është 240 euro, ndërsa kompensimi për mbledhje të komisioneve është 160 euro. Deputetët kanë edhe të drejtën e mbulimit të shpenzimeve të qëndrimit dhe udhëtimit brenda dhe jashtë vendit me detyra zyrtare. Para pak muajsh ishin në qendër të kritikave që shpenzuan paratë e shtetit për karburante.