Monitorues të punës së Kuvendit thonë se legjislativi nuk e ka përmbushur mjaftueshëm agjendën e paraparë.
Deputetët kanë shkuar në pushime për t’u rikthyer në vjeshtë në sesionin tjetër. Por nga monitorues të punës së Kuvendit dhe analistë, puna e Kuvendit po cilësohet se nuk është përmbushur me efikasitet.
Me një seancë maratonike, legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës ka përmbyllur sesionin pranveror, gjatë të cilës u miratuan dhjetëra projektligje.
Monitoruesit e punës së Kuvendit megjithatë thonë se legjislativi nuk e ka përmbushur mjaftueshëm agjendën e paraparë dhe nuk ka treguar efikasitet të theksuar.
“Duke përjashtuar seancën e fundit që përfundoi janë gjithsej 77% e përmbushjes, përkatësisht 77% e ligjeve që i ka pas në punë Kuvendi i Republikës së Kosovës kanë vendosur për të njëjtat, mirëpo problematik në këtë rast qëndron edhe mosefikasiteti i qeverisë që më pas reflektohet në punën e kuvendit të Kosovës. Nëse shohim agjendën e përgjithshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës për këtë vit, dhe nëse e krahasojmë atë agjendë legjislative me numrin se sa janë miratuar ligje në shqyrtim të dytë, i bie që kjo agjendë legjislative është zbatuar vetëm 11% nga ana e qeverisë së Kosovës” , tha Gëzim Shala, nga Institutin e Kosovës për Drejtësi.
Kritik për këtë legjislaturë është shprehur edhe analisti, Artan Muhaxhiri.
“Në përgjithësi është prit më shumë për shkak të vet konstolacionit të Kuvendit të Kosovës, por ajo që bie në sy më së shumti është mungesa e kuorumit që është një mungesë e moralit politik sepse deputetët paguhen nga qytetarët e Kosovës për të punuar dhe kjo mungesë e shpeshtë e kuorumit lë një shije shumë të hidhur për vullnetin e tyre që të kontribuojnë dhe për idenë e tyre të përgjithshme për rolin që e kanë në Kuvend. Pra, është e patolerueshme dhe mendoj se do të duhej që të punojnë shumë në të ardhmen që kjo të mos ndodh”, tha analisti Muhaxhiri.
Sipas projektit “Vota ime” që monitoron punën e Kuvendit, gjatë sesionit pranveror Kuvendi i Kosovës ka mbajtur 33 seanca plenare, prej tyre, nga gjashtë janë mbajtur në mars dhe korrik. Ndërsa, sa i përket përmbushjes së agjendës legjislative, në këtë sesion Kuvendi ka miratuar 58 ligje nga 115, derisa në pritje janë edhe 57 të tjera.